Alessandro Del Piero e festoi 51-vjetorin në mënyrën më të veçantë dhe sportive të mundshme: duke ndjekur nga tribunat paraqitjen e vajzës së tij, Dorotea Del Piero, me ekipin e vajzave U17 të Juventusit.

Ish-kapiteni legjendar i “Zonjës së Vjetër” u pa në mëngjesin e djeshëm në fushën “Valentino Mazzola” në Trofarello, ku skuadra e vajzave U17 të Juves zhvilloi një miqësore kundër ekipit U15 të Trofarellos. Edhe pse përpiqej të qëndronte i padukshëm me një kapuç, prania e tij nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët dhe stafi vendas.

Dorotea, e cila mban fanellën me numrin 7, ishte protagonistja absolute e takimit të fituar 1-7 nga vajzat bardhezi. Ajo shënoi dy gola: i pari pas një kombinimi të bukur që u finalizua me një goditje diagonale drejt shtyllës së largët, ndërsa i dyti erdhi pas një gabimi të mbrojtjes kundërshtare që 17-vjeçarja e shfrytëzoi me zgjuarsi.

Në fund të ndeshjes, Del Piero përshëndeti tifozët dhe pranoi urimet për ditëlindjen me buzëqeshje, duke bërë që dita e tij të kishte edhe më shumë kuptim falë paraqitjes së shkëlqyer të vajzës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta