EMRI/ Sherri në Këshillin Bashkiak në Pogradec, arrestohet qytetari që goditi punonjësin
Tre shqiptarë janë arrestuar në Bolonja të Italisë, pasi dyshohen të jenë pjesë e një grupi të mirëorganizuar trafiku droge.
Policia italiane konfirmoi sot një operacion të suksesshëm kundër një organizate të trafikut të drogës në Funo di Argelato, në provincën e Bolonjës. Aksioni u realizua pas një hetimi të gjatë që çoi në zbulimin e bazës së grupit dhe në sekuestrimin e 20 kilogramëve hashash dhe 44,500 eurove në para të gatshme.
Sipas mediave italiane, hetimet u përqendruan në një apartament që besohej se shërbente si qendër për shpërndarjen e narkotikëve. Pasditen e 5 nëntorit 2025, policia ngriti një shërbim mbikëqyrjeje pranë banesës së dyshuar.
Gjatë vëzhgimit, efektivët vunë re një 20-vjeçar shqiptar që doli nga godina dhe u drejtua drejt Via San Giobbe. Ai iu afrua pran një makine brenda së cilës ndodhej një tjetër shqiptar 34-vjeçar. Të dy u panë duke shkëmbyer para, pas së cilës i riu mori një çantë të bardhë nga bagazhi dhe e vendosi në makinën e tij.
Policia ndërhyri menjëherë dhe gjatë kontrollit gjeti rreth 200 pako kanabisi, me një peshë totale prej 20 kilogramësh. Në makinën e 34-vjeçarit u sekuestruan gjithashtu 42,500 euro, ndërsa 1,000 euro të tjera u gjetën në çantën e tij të shpinës.
Kontrolli u shtri më pas edhe në apartamentin e Funo di Argelato, ku u arrestua një 44-vjeçar shqiptar, i treti i grupit. Në banesë policia gjeti 1 kilogram marijuanë, 179.66 gramë hashash, materiale paketimi për drogë dhe 1,000 euro shtesë në para të gatshme.
Sipas policisë, 44-vjeçari kishte precedentë penalë për trafik droge në Itali. Të tre të dyshuarit u dërguan në burgun “Rocco D’Amato” në Bolonjë. Gjykata vendosi arrest me burg për 34- dhe 44-vjeçarin, ndërsa për 20-vjeçarin u urdhërua arrest shtëpiak.
Operacioni u vlerësua nga autoritetet italiane si një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve shqiptare të trafikut të drogës në rajonin e Bolonjës.
Top Channel