Për Ivan Juric, 12 muajt e fundit kanë qenë një udhëtim makthi me premtime dhe zhgënjime. Nxënësi i Gian Piero Gasperinit, njeriu që transformoi Torinon në një skuadër agresive dhe me identitet, në një vit e pa veten të koleksionojë 3 eksperienca të dështuara; Roma, Southampton dhe në fund Atalanta.

Parabola në rënie e Juric nis me Romën. Pas shkarkimit të De Rossit në shtator të 2024, verdhekuqtë ia besuan pankinën trajnerit kroat për t’i dhënë ritëm dhe intensitet një skuadre të zbehur. Juric i përcon menjëherë idetë e tij, markime një për një, mbrojtje me 3 lojtarë dhe presing i lartë. Impakti u duk pozitiv, por zgjati shumë pak. Rezultatet nuk erdhën, skuadra e kishte të vështirë të asimilonte futbollin e tij, skuadra nuk iu përgjigj dhe pas 12 ndeshjeve dhe 4 humbjeve në 5 sfidat e fundit, Roma mbylli raportin me të dhe kështu pikërisht në 10 nëntor të 2024 në Trigoria erdhi edhe shkarkimi.

Pasi mbylli eksperiencën me Romën, Juric shkon në Angli për të ndryshuar gjërat. Në dhjetor të 2024 pranon sfidën Southampton, skuadër e vendit të fundit në klasifikim duke nënshkruar një kontratë 18 mujore. Misioni ishte i dëshpëruar por i qartë; të shpëtontë skuadrën. Por rezultati ishte historik në mënyrën më negative të mundshme. Në 4 muaj Juric fitoi vetëm një ndeshje në Premier League me Southampton me këtë të fundit që preu biletën për në Championship, 7 javë nga fundi i kampionatit. Në 7 prill të 2025 erdhi edhe zgjidhja konsensuale e kontratës mes klubit anglez dhe Juric që e sheh sërish veten pa skuadër

Por kjo zgjati pak sepse në verën e 2025, Atalanta mbylli epokën Gasperini dhe zgjodhi pikërisht Juric për të marrë stafetën prej tij. Një vendim natyral ky, të paktën në letër, pasi fusha tregoi një tjetër histori. Të mësuar me metodën dhe mënyrat e trajnerit të tyre historic, futbollistët zikaltër të Atalantës e patën të vështirë të pranonin një version më të ashpër dhe më pak efikas e brilant se modeli i mëparshëm. Loja është me luhatje, rezultatet nuk ishin konstante, tensionet e brendshme u rritën dhe shkarkimi ishte i paevitueshëm dhe ironia e fatit deshi që kjo të ndodhte, fiks 1 vit pas shkarkimit nga Roma, në 10 nëntor të 2025.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta