Bashkitë do të kenë mundësinë që nga viti 2026 të shpenzojnë nga buxheti i shtetit rreth 47.3 miliardë lekë, ose 9.74% më shumë se në vitin 2025.
Këto fonde do të shpërndahen për 61 njësitë e pushtetit vendor, ku 27.8 miliardë lekë do të jenë transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme — para që bashkive u jepen pa u përcaktuar destinacioni — dhe 13.8 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale.
Pjesa tjetër do të përdoret për grantin e performancës dhe rritjen e pagave.
Agron Haxhimali, nga Instituti i Bashkive, u shpreh: “Përveç këtij pozitiviteti, është me rëndësi se sa ky buxhet është transformues i jetës së qytetarit — sa përmirëson rrugët, infrastrukturën, jetën rurale dhe mbajtjen e të rinjve e fermerëve në zonat e tyre. Ndarja aktuale e buxhetit tregon se për çdo 100 lekë, gati 75 shkojnë për paga, sigurime dhe shpenzime, ndërsa vetëm 20% për investime. Kërkohet kujdes që ky volum në rritje t’i detyrojë bashkitë të ulin kostot dhe të rrisin portofolin e investimeve, për një zhvillim më të qëndrueshëm.”
Paratë do të përdoren kryesisht për arsimin parashkollor, rritjen e pagave, mbrojtjen nga zjarri, ujitjen e kullimin, si dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Sipas ndarjes, Tirana do të përfitojë mbi 6.5 miliardë lekë, Durrësi 2.5 miliardë, Elbasani 1.8 miliardë, Shkodra 1.7 miliardë, ndërsa Kamza 1.5 miliardë lekë. Pas tyre renditen Korça dhe Lushnja.
Më pak fonde do të shkojnë drejt bashkive me numër më të vogël popullsie. Kryetarët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet e pjesshme të së dielës do të administrojnë: Vlorën me 1.6 miliardë lekë, Beratin me 1 miliard lekë, Matin me 588 milionë lekë, Cërrikun me 435 milionë lekë dhe Tepelenën me 306 milionë lekë.
Ekspertët e pushtetit vendor propozojnë ndryshimin e formulës së shpërndarjes së buxheteve për bashkitë.
Agron Haxhimali theksoi: “Fakti që zonat rurale janë më të disfavorizuara, do të thotë që kanë nevojë për më shumë mjete financiare. Do ta propozojmë në Komisionin e Ligjeve që zonave rurale dhe malore, me koeficient më të ulët infrastrukture dhe që mbështeten në bujqësi, t’u jepet buxhet më i madh.”
Kjo rritje e mbështetjes për pushtetin vendor vjen në prag të nisjes së diskutimeve për një reformë të re territoriale, e cila pritet të sjellë një ndarje të re të bashkive.
Top Channel