Ish-futbollisti i njohur senegalez i Liverpool, El Hadji Diouf, po përballet me një dënim të mundshëm me burg pas akuzave se ka braktisur familjen dhe nuk ka paguar detyrimet financiare ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Sipas mediave britanike, Valerie Bishop, ish-bashkëshortja e tij, e ka paditur Dioufin për mosshlyerje të detyrimit prej 14 mijë paundësh në kuadër të pagesave për mirëmbajtjen e vajzës së tyre 17-vjeçare, Keyla. Gjykata në Dakar, kryeqytetin e Senegalit, e kishte urdhëruar Dioufin që pas divorcit në vitin 2023 të paguante 670 paund në muaj, si dhe shpenzimet shkollore dhe mjekësore të vajzës.

Bishop pretendon se ish-sulmuesi nuk ka bërë asnjë pagesë që nga marsi i vitit të kaluar. Ligjet e ashpra të Senegalit parashikojnë dënime me burg për ata që refuzojnë të paguajnë detyrimet familjare, sipas nenit 351 të kodit penal.

Avokati i Valerie Bishop, Mame Adama Gueye, tha se Diouf “ka të gjitha mundësitë financiare për të paguar, por refuzon ta bëjë”, duke shtuar se ai “jeton rehat mes Dakarit dhe Saly Portudalit.”

Diouf, 44 vjeç, pritet të paraqitet në Gjykatën e Lartë të Dakarit më 5 dhjetor.

Ish-sulmuesi u ble nga Liverpooli për 10 milionë paund në vitin 2002, pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës. Gjatë tre sezoneve me “The Reds”, ai shënoi vetëm gjashtë gola në 80 ndeshje dhe fitoi Kupën e Ligës në vitin 2003. Karriera e tij vazhdoi te Bolton, Sunderland, Blackburn, Rangers, Doncaster dhe Leeds, përpara se ta mbyllte në Malajzi.

Diouf është kujtuar shpesh edhe për incidentet e shumta të pështyrjeve gjatë karrierës së tij në Premier League.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta