Europa League në qendër të polemikave, akuza për diskriminim ndaj hebrenjve pas vendimit të klubit anglez dhe policisë britanike
Vendimi për ndalimin e transfertës së tifozëve të Maccabi Tel Aviv në Birmingham për ndeshjen mes skuadrës izraelite dhe Aston Villës në Europa League vazhdon të diskutohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas asaj që publikon ‘Middle East Eye’, policia e West Midlands po heton tifozerinë e Maccabi pas një raporti të marrë nga Amsterdami. Në këtë raport policia holandeze paralajmëronte se më shumë se 200 tifozë të skuadrës izraelite kishin lidhje me Ushtrinë Izraelite (IDF) dhe se 500-600 tifozë që udhëtuan për në Amsterdam në nëntorin e 2024 ishin luftëtarë të sprovuar, shumë të organizuar dhe me synimin për të shkaktuar shumë dhunë. Në incidentet e asaj kohe në kryeqytetin holandez u regjistruan përleshje, pati shkatërrime dhe u dha edhe një imazh i qytetit në flakë
Polemikat u rindezën kur qeveria britanike e cilësoi ndalimin e transfertës së tifozëve izraelitë si një masë antisemite. Ministrja e Kulturës, Medias dhe Sporteve, Lisa Nandy tha në parlament se kjo masë kishte të bënte me faktin e thjeshtë se tifozët ishin izraelitë e hebrenj. Por policia e kontaktuar nga e përditshmja ‘The Guardian’ e hedh poshtë këtë raport. Në dokument theksohej se vendimi u bazua në mënyrë ekskluzive te rreziku i madh për dhunë duke nënvizuar se grupi i tifozëve nën hetim nuk e kishte aspak problem të përballej me policinë dhe se kishte qenë protagonist edhe në përplasje të tjera në vende të ndryshme.
Ish lideri laburist Jeremy Corbyn, kritikoi me forcë pozicionin e qeverisë britanike duke thënë se e shtrembëroi këtë çëshjte të sigurisë publike për interes politik duke gënjyer popullin britanik. Ndërhyri gjithashtu edhe deputeti i pavarur, Ayoub Khan i cili mbështeti këtë vendim për ndalimin e transfertës së tifozëve të Maccabit dhe denoncoi se ka marrë kërcënime për këtë arsye.
Ndërsa në Amsterdam, bashkia mori vendimin për të ndaluar praninë e tifozëve të maccabit në kryeqytet pas episodeve të dhunshme të vitit të kaluar. Ndërkaq për ndeshjen e kësaj të enjteje mes Aston Villas dhe Maccabi Tel Aviv është parashikuar angazhimi i 700 forcave policore për shkak të protestave pro-palestinë të paralajmëruar me manifestuesit që e konsiderojnë të papranueshme praninë e klubit izraelit në kompeticione për shkak të situatës në Gaza ku është kryer gjenocid. Sipas Policisë së West Midlands, në incidentet në Amsterdam u regjistrua edhe akti i grisjes së flamurit palestinez, u kënduan këngë antiarabe dhe u kryen agresione selektive që shtoi akoma më shumë frikën e një guerrilje në rrugët britanike nëse tifozët izraelitë udhëtonin në Angli
Top Channel