“Nuk e di si ka pranuar Nuhiu të bëhet trajner i Tiranës”, Jupi analizon formën e dobët të bardhebluve: Flamurtari të paktën e ka një shpresë

04/11/2025 08:22

Tirana po kalon një formë tepër të dobët në kampionat, ku pas 10 ndeshjeve numëron vetëm 6 pikë dhe ndodhet momentalisht në vendin e parafundit, duke rrezikuar rënien nga Superiorja.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Redi Jupi, ka analizuar në “Procesin Sportiv”, formën e dobët të bardhebluve, duke u shprehur se në skuadër nuk po punohet në asnjë aspekt për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhen.

“Bylisi e dominoi Tiranën, se u duk që gjatë gjithë zhvillimit të lojës, ishte me ritëm më të lartë, intensitet, me dëshirë për ta fituar dhe me cilësi. Dukej që lojtarët e Bylisit, cilësisht janë më të mirë se të Tiranës. Ky është problemi. Ti mund të jesh në një gjendje të keqe, mund të jesh pas fazës së parë… Të bëj një paralelizëm me Flamurtarin. Flamurtari ka një pikë më pak se Tirana, po te Flamurtari ka një shkëndijë shprese brenda.

Përveç çmendurisë që Tirana bëri me Partizanin, nuk ka dhënë asnjë shpresë, sepse kur humb një ndeshje, do dalësh të bësh një analizë për këtë gjë, do nisesh nga pikat e forta. Tirana nga humbjet që ka pësuar, nuk ka nga të niset. Aty s’ke çfarë të mbash. Ky është problemi i Tiranës. Në fazën mbrojtëse ka pësuar 17 gola, më shumë se të gjithë. Ka bërë shumë pak gola, 8 më duket, 3 i ka bërë me Partizanin. Në mesfushë, se unë aty e shoh skuadrën me kujdes, nuk ke nga ta fillosh e nga ta mbarosh. Në aspektin sulmues, pa dashur t’ia heq të gjitha, ka një farë lidhshmërie, ata mundohen të bëjnë disa gjëra. Këtu mund të niset Tirana, deri diku dhe te portieri që ka një farë eksperience dhe të jep një farë garancie midis shtyllave.

Unë e di si e bëj analizën?! Ti thonë dikujt merre dhe bëhu trajneri i Tiranës. Unë s’e di si ka pranuar ky djali (Nuhiu), sepse nuk ja di karrierën”, tha ndër të tjera Jupi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta