Ish-trajneri i Italisë gati të ulet sërish në stol, do të drejtojë skuadrën ku dikur luante Rey Manaj

04/11/2025 10:26

Roberto Donadoni rikthehet në futbollin italian pas një periudhe të gjatë mungese.

Ish-trajneri i Kombëtares së Italisë do të marrë drejtimin e Spezias, skuadër ku dikur ishte pjesë edhe Rey Manaj, pas shkarkimit të Luca D’Angelo.

Për 61-vjeçarin, kjo është një rikthim surprizë në pankinë pas pesë vitesh pushim. Për herë të fundit, Donadoni kishte drejtuar në vitin 2020 në Kinë, me skuadrën e Shenzhen, ndërsa aventura e fundit në Itali daton në vitin 2018 me Bolognan në Serie A.

Vendimi për ta emëruar atë është marrë nga pronari amerikan i Spezias, Charlie Stillitano, pas humbjes ndaj Monzës dhe renditjes zhgënjyese — vendi i parafundit në Serie B.

Emërimi i Donadonit është parë si një zgjedhje me përvojë, por e guximshme, duke qenë se trajneri ka qenë jashtë futbollit aktiv për disa vite. Megjithatë, një lidhje e vjetër mes Stillitanos dhe Donadonit ka ndikuar në këtë vendim: të dy janë njohur në vitet 1996–1997 në New York Metrostars (sot New York Red Bulls), kur Donadoni luante në SHBA dhe Stillitano ishte drejtues i klubit.

Kështu, pas gati 30 vitesh, rrugët e tyre bashkohen sërish në Itali. Donadoni do të debutojë të premten në ndeshjen shtëpiake kundër Barit.

Gjatë viteve 2005–2018, Roberto Donadoni ka drejtuar disa skuadra në Serie A, përfshirë Livornon, Napolin, Cagliarin, Parmën dhe Bolognan, si dhe ka qenë trajner i Italisë nga 2006 deri më 2008.

Në Serie B, ai ka vetëm dy përvoja të mëparshme: me Livornon (2002/03) dhe një periudhë të shkurtër me Genoan në vitin 2003.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta