Një nënë nga Shkodra ka denoncuar në emisionin “Fiks Fare” një rast tronditës që lidhet me zbatimin e vendimeve gjyqësore për takimet e vajzave të saj të mitura me të atin. Sipas saj, mënyra se si po zbatohet vendimi është çnjerëzore dhe po dëmton rëndë gjendjen emocionale dhe fizike të fëmijëve.
Sipas vendimeve të gjykatës, takimet midis babait dhe vajzave duhet të zhvillohen nën mbikëqyrjen e punonjësve të bashkisë. Por në praktikë, kjo ka sjellë një situatë absurde: vajza vetëm 3 vjeç detyrohet të qëndrojë për 7 orë në zyrat e bashkisë, nën vëzhgimin e punonjësve sociale dhe të babait.
Nëna tregon se vajzat nuk duan të shkojnë në takim, qajnë dhe kundërshtojnë, por ajo është e detyruar t’i çojë, pasi përmbarimi i kërkon zbatimin e vendimeve. Ajo mban në dorë edhe një urdhër mbrojtjeje ndaj ish-bashkëshortit, i cili, paradoksalisht, përcakton sërish takime me të. “Kështu vajzat po torturohen. Çdo herë më vijnë shkresa për detyrimin e takimeve. Askush nuk më dëgjon”, shprehet ajo me lot në sy.
Nëna ka vënë në dispozicion të redaksisë së emisionit investigativ video dhe audio, ku dëgjohet vajza e vogël duke qarë dhe duke thënë “nuk dua të shkoj te babi”. Një tjetër video tregon momentin kur vajza, pas takimit, bie në gjumë në makinë, e rraskapitur. Më pas, e ëma e çon në spital, pasi trupin e kishte plot me shenja.
Nga ana tjetër, punonjëset sociale, të cilat duhet të monitorojnë takimet, mohojnë çdo incident. “S’ka ndodhur asgjë”, kanë deklaruar ato, ndonëse përmbaruesja pranon se është në dijeni të ngjarjes.
Gazetarët e “Fiks Fare” janë drejtuar edhe te zyra e përmbarimit. Përmbaruesja e çështjes ka pranuar se ndodhen përballë një rasti të pazakontë.
“Janë dy vendime gjykate, dhe është hera e parë që më ndodh një rast i tillë. Fëmijët nuk duan të qëndrojnë në takime, por unë jam e detyruar të kërkoj zbatimin e vendimit. E di edhe për incidentin që vajza ka përfunduar në spital, por punonjëset e bashkisë nuk më kanë njoftuar zyrtarisht”, deklaron ajo, duke shtuar se do t’i drejtohet gjykatës për udhëzime të mëtejshme.
Ndërkohë, punonjëset sociale të Bashkisë së Shkodrës vazhdojnë të mohojnë çdo incident, ndonëse videot e siguruara nga nëna flasin vetë.
Nëna apelon për ndërhyrjen e institucioneve përkatëse: “Nuk kërkoj asgjë më shumë, veçse vajzat të mos torturohen. Është e pamundur që një fëmijë 3 vjeç të mbahet me detyrim 7 orë në një zyrë. Dua që gjykata të shohë realitetin, jo vetëm letrat.”
Top Channel