Top Story/ Kushtetuesja ktheu Veliajn në krye të Bashkisë, gazetarja Hoxha: Tani vetëm një gjykatë mund ta nxjerrë të lirë…
Me 98% të votave të numëruara tashmë, partia në pushtet VMRO-DPMNE rezulton në epërsi në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut, me kryesim në 21 nga 33 komunat ku u mbajt balotazhi i zgjedhjeve lokale, përfshirë Shkupin e Kërçovën, sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Partneri i saj në qeveri, koalicioni shqiptar VLEN, kryeson në katër komuna, ndërsa AKI në një dhe LSDM tre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte rreth 45 për qind, ndërsa të drejtën e votës e kishin mbi një milion qytetarë.
Votimet, që nisen në orën 7:00 dhe u mbyllën me kohë në orën 19:00, u mbajtën në mënyrë paqësore pa ndonjë incident madhor, pohuan autoritetet maqedonase.
Komunat e Shkupit, Qendra dhe Karposhi, por edhe Kërçova, Tetova dhe Struga, si dhe Koçani, ishin pjesë e zonave që analistët politikë i shihnin si interesante për t’u monitoruar dhe ku votuesit e kandidatëve që nuk arritën në raundin e dytë mund të jenë vendimtarë për atë se kush fiton.
Tragjedia në Koçan, ku një zjarr në klubin e natës Puls në mars vrau 63 persona dhe plagosi më shumë se 200 të tjerë, e përqendroi vëmendjen e publikut në qytet gjatë zgjedhjeve lokale.
Në raundin e dytë, Koçani votoi për të zgjedhur midis kryetarit të përkohshëm dhe kandidatit të pavarur Venko Krstevski dhe Vlatko Grozdanov të VMRO-DPMNE.
Grozdanov fitoi rreth 2.200 vota më shumë se Krstevski në raundin e parë më 19 tetor, e rezulton në krye edhe tani. Në total, në të dy raundet zgjedhore VMRO DMPNE rezulton të jetë siguruar 55 komuna, VLEN 9 dhe AKI e Ali Ahmetit 4.
Top Channel