Britney Spears fshin llogarinë e saj në Instagram pas postimeve që shkaktuan shqetësime për fansat

03/11/2025 19:10

Britney Spears ka fshirë llogarinë e saj personale në Instagram, pas një serie postimesh që shkaktuan shqetësim tek fansat dhe pas një përballjeje publike me ish-bashkëshortin e saj, Kevin Federline, lidhur me zbulimet që ai bën në librin e tij të ri për martesën e tyre.

Që prej së dielës, 2 nëntor, profili i Spears në Instagram nuk është më i aksesueshëm. Kur kërkohet emri i saj në platformë, shfaqet njoftimi “Profili i padisponueshëm”.

Fshirja e llogarisë vjen pas disa javësh shqetësimesh të fansave për postimet e çuditshme dhe emocionalisht të ngarkuara të këngëtares. Së fundmi, ajo kishte publikuar video duke kërcyer në dhomën e saj të ndenjes, me komente të çaktivizuara dhe mbishkrime që përmbanin referenca enigmatike për djemtë e saj, Sean Preston dhe Jaden James.

Në një video të postuar më 7 tetor, Spears shfaqej me mavijosje dhe fasha në duar. Ajo shpjegoi se kishte rënë nga shkallët, ndërsa përmendi se djemtë e saj ishin kthyer në Hawaii për të jetuar me babanë e tyre.

“Djemtë e mi u detyruan të largoheshin dhe të ktheheshin në Maui,” shkroi ajo. “Kështu shprehem dhe lutem përmes artit. Nuk dua mëshirë apo shqetësim, dua vetëm të jem një grua e mirë dhe të shërohem. Kam mbështetje të jashtëzakonshme, kështu që ju uroj një ditë të mbarë.”

Në të njëjtin postim ajo shtoi:

“Rashë nga shkallët në shtëpinë e një mikeje. Ishte e tmerrshme. Shpatulla ime del shpesh nga vendi, nuk jam e sigurt nëse është thyer, por tani është ‘kthyer’ përsëri në vend. Faleminderit Zotit.”

Më 19 tetor, Spears iu referua periudhës katërmujore që kaloi në një qendër rehabilitimi në vitin 2018, gjatë kohës që ishte nën kujdestari 13-vjeçare.

“Pësova dëmtime në tru,” shkroi ajo, duke përshkruar ndikimin e asaj kohe në jetën e saj.

Në të njëjtin postim ajo publikoi një foto mbi një kalë, duke krahasuar shpatullat e saj me “pupla” dhe duke bërë një paralelizëm me filmin Maleficent: “Mbani mend si mbreti u përpoq ta vriste, por një burrë i vodhi fshehurazi krahët. Ajo që vjen nga Ati në Qiell nuk harrohet kurrë. Krahët e saj ishin të shenjtë, mbreti nuk mund t’i merrte. Ishin fshehur në një faltore sekrete. Nuk ka të bëjë me mua, por e gjej shumë interesante.”

Ndërkohë, në librin e tij të ri “Thoshe se e dije”, Kevin Federline bën një sërë akuzash në lidhje me Spears, martesën e tyre dhe marrëdhënien e saj me djemtë. Sipas New York Times, USA Today dhe E! Online, Federline ngre shqetësime për rolin e saj si nënë, aludime për pabesi dhe frikën se “diçka e keqe” mund t’i ndodhte.

Spears reagoi më 15 tetor përmes platformës X (ish-Twitter), duke e akuzuar Federline për “manipulim të vazhdueshëm” dhe duke mbrojtur marrëdhënien me fëmijët.

“Të të duan pa kushte dhe me një zemër të pafajshme si imja, ndërkohë që të bëjnë të ndihesh si fajtore ndërsa përfitojnë nga dhimbja jote… Oh Jezus i dashur, më trego se ekziston një Zot dhe se edhe unë mund të dashurohem pa kushte, pa qenë e përsosur,” shkroi ajo.

Në një tjetër postim, ajo kritikoi paraqitjet televizive të ish-bashkëshortit, duke thënë se ai “e sulmon në intervistat e tij” dhe pyeti:

“Pse është kaq i zemëruar? Gjëja e frikshme është se sa bindës është. Mënyra si ndalet para se të qajë më lë pa fjalë. A e ke seriozisht?”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta