Zyrtare/ Kushtetuesja merr vendimin, Veliaj rikthehet si kryetar Bashkie i Tiranës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te seanca e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese të premten e kaluar.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ai u shpreh se Veliaj gjatë seancës gjeti guximin të krahasonte Partinë Socialiste me FARC-un e Kolumbisë.
“E premtja që kaloi është e premtja më e zezë e narkoshtetit të Edi Ramës. Të gjithë ne ishim dëshmitarë me disa pamje të cilat atyre që janë përjetuar diktaturën totalitare, i kujtojnë procesin e Kadri Hazbiut në gjyqin e partisë. Të tilla ishin pamjet e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, por në dallim nga Kadri Hazbiu që deklaronte se e ka nga partia e tij, Erion Veliaj me guxim krahasoi partinë e tij me FARC-un e Kolumbisë.
Nuk kam absolutisht as edhe ndjesinë apo më minimale, se Erion Veliaj është një person i pafajshëm. Erion Veliaj është një person i cili mbahet në burg për minimumi 1/100 e asaj që ka vjedhur dhe shpërdorura, për të mos thënë 1/200-ën e saj. Por duke thënë këtë, e vërteta e padiskutueshme është se të drejtat e njeriut u shkelën në mënyrë brutale, u përdor ndaj tij ajo praktikë që Enver Hoxha përdori ndaj Kadri Hazbiut.
Në këtë rast, duke shkelur çdo procedurë e çdo ligj, i dhanë atij guxim të krahasojë me FARC-un e Kolumbisë partinë e tij. Në fakt ai tha një të vërtetë, narkoparti, narkoregjim. Kjo është e vërteta e Shqipërisë”, tha ndër të tjera Berisha.
Kadri Hazbiu ishte një figurë shumë e rëndësishme e regjimit komunist në Shqipëri. Ai ka mbajtur disa poste të larta shtetërore si Ministër i Brendshëm për 28 vjet e më pas ministër i Mbrojtjes.
Ai konsiderohej si një nga arkitektët kryesorë të sistemit të survejimit dhe represionit komunist në Shqipëri. Në vitin 1982, pas përplasjeve të brendshme në kupolën e pushtetit, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia e akuzuan Hazbiun për tradhti ndaj atdheut, spiunazh për shërbimet sekrete jugosllave dhe sovjetike dhe pjesëmarrje në një komplot brenda Sigurimit të Shtetit.
Ai u arrestua dhe iu nënshtrua një gjyqi të montuar politik, së bashku me figura të tjera si Feçor Shehu dhe Llambi Peçini. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe me akuza të bazuara kryesisht në deklarata të diktuara. Në 1983, Kadri Hazbiu u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua.
Top Channel