Gasperini pas ndeshjes me Milanin: Po mundohem të gjej diçka që bëm keq në këtë ndeshje, por nuk ka…përveç penalltisë
Humbja e Atalantës ndaj Udineses mund të rezultojë fatale për Ivan Juric.
Pas disfatës në “Bluenergy Stadium”, stoli i kroatit është dridhur ndjeshëm, ndërsa drejtuesit e klubit nga Bergamo po shqyrtojnë me kujdes hapat e ardhshëm.
Sipas mediave italiane, rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit kanë rritur ndjeshëm presionin ndaj trajnerit, që nuk ka arritur të marrë tre pikë në Serie A që nga 21 shtatori.
Seria e barazimeve dhe mungesa e fitoreve kanë detyruar drejtuesit e Via Paglia të hyjnë në diskutime të gjata për të ardhmen e ekipit, me dy emra të njohur në qendër të vëmendjes: Raffaele Palladino dhe Thiago Motta.
Sipas burimeve pranë klubit, ultimatumi për Juric është tashmë i qartë. Humbja ndaj Udineses ka përshpejtuar reflektimin brenda drejtuesve, por me ndeshjet e rëndësishme që vijnë në Champions League ndaj Marsejës dhe në kampionat kundër Sassuolos, vendimi përfundimtar mund të shtyhet për disa ditë. Një shkarkim i menjëhershëm, në këtë fazë, do të rrezikonte të trondiste më tej skuadrën orobike.
Nëse Atalanta nuk rikthehet menjëherë te rezultatet pozitive, ndryshimi në pankinë duket i pashmangshëm.
Në listën e zëvendësuesve, Palladino shihet si kandidati më i arritshëm, pasi ka ndërprerë kontratën me Fiorentinën këtë verë. Ndërkohë, Thiago Motta, aktualisht i lidhur me Juventusin, përbën një pistë më të ndërlikuar për shkak të kontratës dhe kostove të mundshme.
Burime pranë familjes Percassi – që drejton Atalantën – theksojnë se Motta ka qenë një profil i vlerësuar prej kohësh dhe ka zhvilluar kontakte paraprake me klubin që verën e kaluar, përpara se Juric të emërohej në vend të Gasperinit.
Kriza në Bergamo nuk prek vetëm trajnerin: edhe drejtori sportiv Tony D’Amico është nën presion. Heshtja e tij në javët e fundit dhe mungesa e rezultateve kanë shtuar tensionin në Zingonia, me raportime se pozicioni i tij është gjithashtu në rrezik.
Atmosfera në Atalantë është gjithnjë e më e nxehtë, dhe orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Juric dhe të gjithë strukturës drejtuese të klubit.
Top Channel