Rezultatet zhgënjyese rezultojnë fatale, klubi italian shkarkon ikonën franceze

01/11/2025 12:46

Klubi italian Genoa ka njoftuar ndarjen me trajnerin francez Patrick Vieira, pas një serie rezultatesh zhgënjyese në fillim të sezonit.

Lajmi vjen vetëm pak orë pasi ishte raportuar se tekniku mund të mbetej në detyrë të paktën edhe për një ndeshje tjetër.

Në deklaratën zyrtare, klubi thekson:

“Genoa CFC njofton se Patrick Vieira nuk është më trajner i Ekipit të Parë. Klubi dëshiron të falënderojë trajnerin dhe stafin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, duke u uruar suksese në të ardhmen.”

Pas largimit të ish-mesfushorit francez, drejtimi teknik i skuadrës i është besuar përkohësisht Roberto Murgita-s, i cili do të ndihmohet nga ish-kapiteni Domenico Criscito. Ky i fundit pritet të drejtojë edhe seancën e parë stërvitore pas ndryshimit në pankinë.

Vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit erdhi pas një starti shumë të dobët të Genoas në kampionat, me skuadrën që ndodhet në fund të tabelës — vetëm tre pikë pas nëntë ndeshjeve, pas tre barazimeve dhe gjashtë humbjeve, përfshirë disfatën e fundit ndaj Cremoneses në shtëpi.

Vieira ishte emëruar trajner i Genoas në nëntor të vitit 2024, në vend të Alberto Gilardino-s, me pritshmëri të larta për rikthimin e ekipit në formën e dikurshme. Megjithatë, rezultatet nuk arritën të përmbushin objektivat e klubit.

Sipas mediave italiane, mes kandidatëve për ta pasuar francezin përmenden Paolo Vanoli, Daniele De Rossi dhe Luca Gotti, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në ditët në vijim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta