 
																		 
								
			Flutura Gjimi, motra e Aranit Kurtit, i cili u vra nëntë ditë më parë në një kafe në Manëz të Durrësit ka dhënë një intervistë për ‘Shqipëria Live’ në Top Channel, ku ka folur për ngjarjen e rëndë.
Me zemrën e thyer dhe plot dhimbje ajo tha se natën e fundit, i vëllai kishte qenë në shtëpinë e saj, ndërsa shtoi se kishte peng që nuk e kishte përcjellë vetë.
Ndër të tjera ajo tha se vëllai i saj ishte shumë i dashur dhe se nuk kishte pasur sherre me asnjë njeri, u shpreh ajo për gazetaren e ‘Shqipëria Live’, Semiljana Azizi.
Viktimë mbeti dhe Flori Paluçi, ndërkohë që autori, Daniel Pepa, është ende në kërkim.
“Më thanë ‘ka vdekur’, thashë ‘çfarë po thua’? Kam mbyllur telefonin. Pyesja njerëzit, ‘a dini gjë për vëllai tim?’. Jam kthyer të marr makinën të shkoj në vendngjarje, aty më marrin në telefon dhe më thonë ‘mos kërko për vëllanë se e kanë vrarë, ka dalë në portale’.
Kur kam dalë e kam parë lokalin plot me njerëz, vëllai im ishte në spital. Ai rrinte përditë në atë kafe. Ai s’ka bërë asnjëherë sherr me njeri.
Shtetin ta kesh te dera, të njohin kush je dhe të mos sjellin asnjë informacion është krim. Nuk kam asnjë informacion se si po ecën procesi hetimor. As mbështetje s’kemi pasur, por vetëm infermieren e zonës.
Me vëllanë isha shumë e lidhur me atë. Kur jam martuar unë, ai ka qenë 5 vjeç. Vetëm këtu tek unë vinte. Fëmijët e mi i mbante si të tijtë. Atë e kisha krahë të djathtë. Atë natë këtu e kisha, i kam dhënë bukë me duart e mia. Kur iku u kthye dhe më përqafoi mua dhe fëmijët. E kam peng që nuk e përcolla atë natë. Pyes veten pse nuk e përcolla vetë atë natë.
Nuk e besoj dot që vrasja ndodhi për një kafe. Nuk flas dot, se nuk di gjë. Kemi kërkuar të shohim kamerat e sigurisë, por nuk kemi arritur. Unë vetë nuk do mundem dot ta shoh, se ai ishte gjysma ime.
Shteti për mua është shumë fajtor, na ka shumë borxhe”, tha motra e të ndjerit.
Top Channel