Meri Shehu në një rol që do t’ju shkrijë së qeshuri! Blini bileta këtu për ta ndjekur live…
Princi William dhe Princesha Catherine kanë fituar një çështje gjyqësore për shkelje të privatësisë ndaj revistës franceze Paris Match, pasi kjo e fundit publikoi fotografi paparaci të çiftit dhe fëmijëve të tyre gjatë një pushimi familjar privat në Alpe.
Sipas një njoftimi nga Pallati Kensington, çifti mbretëror kishte ndërmarrë veprime ligjore në prill, menjëherë pas botimit të fotove në revistën franceze, ku ata shfaqeshin së bashku me fëmijët – Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis – duke shijuar pushimet e tyre në borë dhe duke u relaksuar në ballkonin e chalet-it.
Gjykata franceze vendosi se përmbajtja e Paris Match “kishte cënuar të drejtën e respektit ndaj jetës private dhe imazhit” të Princit dhe Princeshës së Uellsit dhe fëmijëve të tyre. Revista, në pronësi të grupit luksoz francez LVMH, u detyrua të publikonte njoftimin gjyqësor dhe të paguante shpenzimet ligjore të çiftit.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Pallatit Kensington theksoi se vendimi “pohon të drejtën e Familjes Mbretërore për jetën private, pavarësisht detyrimeve publike”. Ai shtoi se Princi dhe Princesha janë të vendosur të mbrojnë jetën private të fëmijëve të tyre dhe nuk do të ngurrojnë të ndërmarrin hapa të ngjashëm në të ardhmen.
Ky është rasti i dytë që William dhe Catherine fitojnë ndaj një media franceze. Në vitin 2017, ata morën dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh pasi revista Closer publikoi foto topless të Princeshës gjatë pushimeve në Provence në vitin 2012 – një rast që gjithashtu u cilësua si shkelje e rëndë e privatësisë.
Top Channel