Ndodh edhe kështu/ U shfaqën nudo në plazh, arrestohen 6 pushues. Rrezikojnë një vit burg dhe gjobë të majme

30/10/2025 20:34

Gjashtë pushues janë arrestuar në Florida, pasi autoritetet morën ankesa të shumta se ata ishin shfaqur nudo në një plazh ku kjo nuk ishte e lejuar.

Grupi i nudistëve qëndronte pranë zonës Little Mud, rreth një milje në veri të plazhit Blind Creek, që është i vetmi plazh në zonë ku lejohet zyrtarisht nudizmi.

Sipas zyrës së policisë, Daniel Harrison, Donald Knapp, Gaetan Lambert, Steven Marchenke, Elmer Quandt dhe Nicholas Ramos u akuzuan për ekspozim të organeve gjenitale, pasi u gjetën rreth 1.5 kilometra jashtë kufijve të zonës ku është i lejuar nudizmi.

Aktualisht, plazhi Blind Creek mbetet i mbyllur. Autoritetet pranuan se kjo situatë “mund të shkaktojë shqetësime të përkohshme për pushuesit”, por theksuan se nuk lejohet nudizmi në hapësira publike të pacaktuara.

Ndërkohë, nudistët që kundërshtojnë projektin e kufizimit të zonës Blind Creek kanë kërkuar prej kohësh që të zgjerohet hapësira në veri të plazhit, kërkesë që është refuzuar nga banorët lokalë.

Që prej fillimit të shtatorit, policia ka shtuar patrullimet në zonë, përfshirë edhe patrulla në këmbë, dhe ka vendosur tabela që tregojnë qartë kufijtë e zonës ku lejohet lakuriqësia.

“Oficerët do të vazhdojnë të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret që lidhen me plazhin Blind Creek. Vizitorëve u kujtohet të qëndrojnë brenda kufijve të përcaktuar për nudizëm dhe të mbulohen para se të hyjnë në parkingje apo zona publike”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Sipas ligjit të shtetit të Floridës, ekspozimi i organeve gjenitale është kundra ligjit dhe, nëse dënohen, shkelësit mund të përballen me deri në një vit burg dhe një gjobë prej 1,000 dollarësh.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta