“Musine Kokalari, një yllësi”/ Promovimi i librit të Uran Butkës edhe stërmbesa, Arba Kokalari: Kurrë më në diktaturë

30/10/2025 19:57

“Musine Kokalari, një yllësi” është një studim historik, letrar e antropologjik për jetën Musine Kokalarit.

Vepra e Uran Butkës dhe Institutin të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” nxjerr në dritë fakte të reja nga veprimtaria e gruas që sfidoi komunizmin në Shqipëri.

“‘Fashizmi dhe komunizmi nuk kanë asgjë ndryshim mes tyre, përderisa vrasin njeriun. Unë nuk jam komuniste dhe ky nuk mund të cilësohet faj. Ti fitove, por unë nuk duhet të jem në burg’, i thoshte Musine Kokalari Enver Hoxhës. Ajo qëndroi deri në fund si martire.

Përveçse ka qenë intelektuale, shkrimtare e parë shqiptare, studiuese, etnografe, kritike e njohur, mëtuese e flaktë e lirisë, e demokracisë, luftëtare për të drejtat e grave, për emancipimin e tyre. Ka qenë edhe politikane, themeloi partinë social-demokrate, si një rrugë që e largonte Shqipërinë nga zjarri i luftës civile, por për këtë gjë, ajo u ndëshkua dhe u dënua me 20 vite burg”, thotë autori Butka.

Pjesë e veprës janë kujtimet e shkruara nga vetë Musine Kokalari, që për Butkën ishte shëmbëlltyra e bukurisë, e lirisë dhe e përjetësisë.

“Janë rreth 3000 faqe që kam gjetur dhe janë pjesa më e bukur e saj, që në 20 vite burg dhe 18 vite internim, në kushte shumë të vështira, ajo shkroi kujtimet e saj. Aty nuk ka asnjë grimë urrejtjeje ose hakmarrjeje, aty fryn vetëm era e dashurisë dhe e lirisë, ajo rrezaton vetëm dritë”, shprehet Butka.

E pranishme në promovimin e librit, stërmbesa e Musine Kokalarit, eurodeputetja e Suedisë në Parlamentin Europian, rrëfeu si paraardhësja e saj që sakrifikoi jetën duke luftuar për vlerat demokratike u bë një frymëzim në rrugëtimin drejt politikës.

“Musine Kokalari ka qenë frymëzim shumë i madh në jetën time, edhe për faktin që jam bërë politikane në Suedi, vlerat e saj janë vlera që edhe unë i mbaj lart, tani që jam politikane në një shtet demokratik, e kam unë përgjegjësinë të luftoj për të gjithë njerëzit që nuk kanë liri dhe të luftoj për vlerat demokratike”, thotë Arba Kokalari.

Eurodeputetja theksoi rëndësinë që e shkuara t’u rrëfehet brezave të rinj. Kujteësa është vaksinë për një shoqëri të shëndetshme, sipas saj: “Sfidat që bëri Musine Kokalari për demokracinë dhe të drejtat e njeriut janë shumë të rëndësishme që të tregohen edhe te gjeneratat e reja, sepse kur e tregojmë historinë, ajo është një vaksinim për shoqërinë që të mos futet më në autoritarizëm dhe diktaturë. Është shumë e rëndësishme sepse njerëzit harrojnë, brezat e rinj nuk e dinë se çfarë sakrificash kanë bërë shqiptarët në të kaluarën. Duhet të dinë që ka pasur njerëz të guximshëm që shkonin kundër Enver Hoxhës si Musine Kokalari. Duhet të tregojmë më shumë për njerëzit dhe gratë si Musine Kokalari që kishin guxim që të luftonin për lirinë, për vlerat e demokracisë, këto vlera që Shqipëria që e ndihmojnë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”.

Pas këtij botimi, Instituti “Lumo Skëndo” do të vijojë punën për vëllime të tjera bazuar mbi dokumente arkivore dhe mbi kujtesën familjare për të zbërthyer të gjithë jetën e intelektuales që guxoi të mendonte ndryshe dhe nuk iu përul për asnjë çast diktaturës deri në frymën e saj të fundit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta