Luciano Spalletti nënshkroi me Juventusin, ja sa do të përfitojë nga kontrata e tij…
Hetimi i Prokurorisë së Milanos për rrjetin klandestin të basteve ka hyrë në një fazë të re, pasi disa futbollistë të njohur kanë dorëzuar kërkesat e para për “obligim” – një procedurë që u lejon atyre të paguajnë një gjobë prej 250 eurosh për të shmangur ndjekjen penale.
Sipas agjencisë Ansa, kërkesat janë paraqitur tashmë nga Samuele Ricci, mesfushor i Milan dhe kombëtares italiane, Raoul Bellanova, mbrojtës Atalantas dhe Italisë, si dhe Mattia Perin, portier i Juventusit.
Prokurorët pritet t’i miratojnë kërkesat në ditët në vijim, duke i dhënë fund procedurave ndaj tyre në këmbim të pagesës simbolike.
Hetimi, i drejtuar nga Guardia di Finanza dhe i koordinuar nga prokurorët Roberta Amadeo dhe Paolo Filippini, ka identifikuar gjithsej 13 futbollistë të përfshirë në bastet ilegale – kryesisht për poker online dhe ngjarje sportive jashtë futbollit. Në mesin e emrave janë edhe Nicolò Fagioli, Nicolò Zaniolo, Sandro Tonali, Alessandro Florenzi dhe Weston McKennie.
Shumica e tyre akuzohen për pjesëmarrje në baste të paligjshme, ndërsa Fagioli dhe Tonali, tashmë të përfshirë në hetimin e mëparshëm të Torinos, akuzohen gjithashtu për promovim të platformave të paligjshme. Për këta të fundit, opsioni i “obligimit” nuk është i mundur dhe pritet të kërkojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Ndërkohë, edhe sportistë nga disiplina të tjera – përfshirë tenistin Matteo Gigante – pritet të përfitojnë nga mundësia e pagesës së gjobës për të mbyllur çështjen.
Fokusi kryesor i hetimit mbetet mbi dy “menaxherët” e dyshuar të rrjetit, Tommaso De Giacomo dhe Patrik Frizzera, si dhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se përmes dyqanit të bizhuterive “Elysium” kanë falsifikuar shitje të orëve luksoze për të mbuluar borxhet e lojtarëve nga bastet.
Një seancë dëgjimore për pranimin e fajësisë për këta pesë persona është planifikuar për 26 nëntor.
Top Channel