“Kur antidopingu më shpëtoi nga Spalletti”, rrëfehet ish-sulmuesi i Italisë: Dy vjet pa futboll, nuk e kam menduar kurrë të largohem

29/10/2025 17:16

Pas gati tre vitesh larg fushave, Stefano Okaka ka gjetur sërish rrugën e rrjetës.

Sulmuesi italian me origjinë nigeriane shënoi një gol vendimtar në minutën e 97-të, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij Ravenna në transfertë ndaj Pianese-s. Një gol me kokë, në fund të kohës shtesë, që shënoi edhe momentin e rikthimit të tij pas 962 ditësh pa shënuar.

“Të shënosh në këtë mënyrë të bën të ndihesh edhe më mirë. Ndërsa vrapoja për të festuar, mendova për dy vitet që isha jashtë loje dhe dashurinë e familjes sime. Falë tyre jam kthyer në fushë,” – u shpreh Okaka pas ndeshjes.

Pas aventurave në Serie A, Premier League, Champions League dhe Europa League, 36-vjeçari ka zgjedhur të rifillojë nga Serie C, duke pranuar sfidën e klubit Ravenna, që është rikthyer këtë sezon në futbollin profesionist.

“Gjatë verës isha jashtë vendit, por vëllai im Carlo më foli për projektin e Ravennës. U takova me presidentin Cipriani dhe drejtorin sportiv Davide Mandorlini dhe vendosa të filloj nga e para. Sot, jemi të tretët në Grupin B, vetëm një pikë larg kreut,” – tha ai me entuziazëm.

Okaka debutoi në Serie A që në moshën 16-vjeçare me fanellën e Romës, nën drejtimin e Luciano Spallettit, të cilin e quan “si një baba të dytë”. Ai kujton me humor edhe ndëshkimin e tij të parë: “Një herë hyra në lojë pa motivim. Spalletti e vuri re dhe më tha: ‘Shihemi më vonë’. U fsheha në dhomën e testit të dopingut për tre orë që të mos më qortonte.”

Në karrierën e tij, ai ka luajtur për Fulham, Sampdoria, Udinese, Anderlecht, Watford dhe Basaksehir, ndërsa ka veshur edhe fanellën e kombëtares italiane falë besimit të Antonio Contes.

“Të luaja për Italinë ishte një ëndërr e bërë realitet. Do të doja të isha pjesë e Euro 2016, por trajneri zgjodhi të tjerë. Sërish, nuk kam pendesa,” – tregon Okaka.

Okaka mbetet një futbollist i veçantë, i cili nuk përdor rrjete sociale dhe jeton larg vëmendjes së mediave. Ai e cilëson familjen si motivin kryesor të karrierës së tij.

“Prindërit e mi punuan në tre punë për të na rritur. Me fitimet e mia të para bleva një shtëpi për ta. Ajo ishte dita më e bukur e jetës sime,” – rrëfen ai.

Sot, Okaka është i lumtur të rikthehet aty ku gjithçka filloi – në fushë, me topin në këmbë.

“Qëllimi im tani? Të vazhdoj të argëtohem dhe të shënoj gola. Edhe një fitore tjetër me Ravenna nuk do të më bezdiste,” – përfundon me buzëqeshje sulmuesi që dikur luante krah Tottit e De Rossit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta