ZeqiLandi i Ramës, AlbDheu i Kurtit e përgjithmonë Berisha në mes
Nga Auron Tare
Dje ishte Dita e OXI-it në Greqi, dita kur një vend relativisht i dobët iu kundërvu me vendosmëri një shteti arrogant si Italia fashiste e Musolinit.
Lufta italo-greke, ose më saktë kapitulli më i rëndësishëm i saj, u zhvillua në tokën shqiptare. Ishte një konflikt që, në një farë mënyre, nisi me pretendime absurde nga Italia, por që për një kohë të gjatë ishte përgatitur ideologjikisht përmes propagandës italiane dhe pretendimeve për tokat shqiptare të Çamërisë.
Shumë të rinj shqiptarë u bashkuan me këtë propagandë, duke menduar se më në fund Europa arrogante do të korrigjonte padrejtësitë e saj në kurriz të tokave dhe popullsisë shqiptare. Shqipëria, e pushtuar më herët nga Italia, solli në fushën e betejës dy batalione me rekrutë shqiptarë, të cilët morën pjesë në sulmin e parë në kufirin grek.
Nëse lexojmë kujtimet e oficerit shqiptar Prenk Previzi, mësojmë se një numër i madh të rinjsh nga Veriu, që kishin dalë vullnetarë në këtë sulm frontal, humbën jetën me idenë se po kontribuonin për një çështje kombëtare. Fatkeqësisht, gjatë 45 viteve të periudhës komuniste, kjo copëz historie u la në harresë me qëllim. Akti i të rinjve shqiptarë, edhe pse për një kauzë që historia e ka dënuar, në kontekstin shqiptar është plotësisht i kuptueshëm. Megjithatë, ai u mohua nga historiografia e mëvonshme, e cila u përpoq të lartësonte faktin se dy batalionet shqiptare dezertuan nga fronti.
Dezertimi një akt moralisht i ulët për ushtarakët që janë betuar para flamurit u paraqit si shembull i “lartësisë morale” nga historia zyrtare e pasluftës, e cila nxitoi të rishkruante historinë sipas ideologjisë së re.
Por shembujt e kombeve të qytetëruara janë shumë më fisnikë dhe moralisht më të lartë. E kam përmendur edhe më parë se si pasardhësit e trupave “Alpini” italiane çdo vit përkujtojnë të rënët e tyre në frontin italo-grek, jo si mbështetës të një kauze humbëse, por si ushtarë që sakrifikuan për atdheun e tyre. Ky gjest, aq fisnik dhe human, duhet të na bëjë të reflektojmë e të kuptojmë se kombi formohet dhe lartësohet përmes shembujve të atyre që sakrifikuan për të, edhe kur lufta humbet.
Sot, në Ditën e OXH-it, kur kombi grek me krenari kujton sakrificat e ushtarëve të tij që luftuan dhe fituan ndaj një agresori arrogant, shqiptarët duhet të lartësojnë kujtimin e atyre që dhanë jetën për kombin si ushtarakë që bënë betimin para flamurit dhe jo të vazhdojnë të kujtojnë aktin e shëmtuar të dezertimit në front si shenjë të lartësisë morale.
Në kujtim të 111 djemve nga Mirdita, Luma e Dibra, që ranë në Frontin e Luftës për vendin e tyre në vitin 1940, pavarësisht kontekstit politik të kohës.
Top Channel