Ekspertët e shohin me shqetësim dështimin e përpjekjeve për krijimin e një qeverie të re në Kosovë, e mendojnë se përpos ngërçit institucional kjo rrezikon edhe vetë buxhetin për vitin 2026.

Ekonomisti Haki Shatri i tha REL-së  shteti kërcënohet prej falimentit teksa mund të mos ketë para as për paga, e as për pensione.

Në intervistën e dhënë Radios Evropa e Lirë, ai insiston se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.

“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, shprehet ai.

Në rast se nuk kemi një qeveri të plotfuqishme dhe me mandat të plotfuqishëm, e cila mund të procedojë një dokument me karakter ligjor, siç është buxheti, atëherë nuk ka kush ta dërgojë në Kuvend projektligjin për buxhetin, edhe nëse ai është përgatitur nga stafi civil brenda Ministrisë së Financave, apo nga organet kompetente për përgatitjen e tij.

“Në këtë situatë, nuk ka kush ta propozojë ndryshimin e ligjit aktual për buxhetin. Si variant i mundshëm është një e dymbëdhjeta e buxhetit të këtij viti, për muajt janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm. Nga ana procedurale, është propozim për ndryshimin e ligjit për buxhetin e këtij viti, pra ndjek të njëjtën procedurë sikurse miratimi i vetë ligjit për buxhetin. Nëse nga 1 janari s’ka qeveri të re, nuk do të ketë kush ta propozojë këtë vazhdim të shpenzimeve buxhetore dhe të parasë publike”, argumenton eksperti.

Sipas tij, vetëm një qeveri me mandat të plotë “mund të ndryshojë ligjin për buxhetin”, ndërsa këmbëngul se qeveria në detyrë nuk e ka këtë të drejtë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta