Ngjarja e zhurmshme në volejbollin shqiptar ka të vetmen protagoniste dhe të dëmtuar, me sa duket, volejbollisten e Dinamos, Nayara Ferreira, e cila vuan presionin e opinionit përpos pezullimit sportiv.

Prej shumë ditësh tashmë ajo nuk është paraqitur as në stërvitje, e mbyllur në një gjendje jo të mirë psikologjike, ndërsa klubi, pavarësisht impenjimeve, merret paralelisht edhe me gjendjen e saj duke i qëndruar pranë.

Trajneri i bluve, Orlando Koja, tregon bisedën me të në tentativat për ta rikthyer në rrjedhën normale të paktën stërvitore: “Një lojtare e rëndësishme edhe nga ana e komunikimit, na dëmtoi për momentin por vajzat e tjera sikur morën një shtysë që të tregonin se janë të forta edhe në këto momente të vështira. Po insistojë që ta rikthejë në stërvitje, por më tha që nuk e ndjej dhe s’jam në gjendje për stërvitje”.

Gjithsesi, edhe pse stërvitja vazhdon me ritme normale dhe në rutinën e saj, brenda grupit të vajzave diçka ka ndryshuar, siç thotë kapitenia Elena Bego: “Gjendja e ekipit ka qenë e mirë por edhe shumë e  kërkuar emocionalisht pasi të gjitha vajzat jemi prekur nga kjo situatë. Ne me Nayarën komunikojmë dhe flasim çdo ditë jemi takuar, gjendja e saj emocionale është shumë e ngarkuar dhe shpresojë që ajo që të bëhet më mirë deri sa kjo situatë të përfundojë”.

Megjithatë, edhe pse pritet zgjidhja e situatës, trajneri Koja bën me dije se ekipi e ka humbur me shumë gjasë përfundimisht këtë sportiste.

“Ajo po rri këtu që të na bëjë një nder ne të na thotë ja ku I ke rezultatet jam 100% femër, mirupafshim”, shton trajneri Koja.

Intervista e transmetuar mbrëmjen e djeshme në Top Channel, ku për herë të parë Nayara Ferreira akuzonte Federatën e Volejbollit për diskriminim, ka sjellë reagimin e institucionit të këtij sporti në vend nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku mes të tjerash thekson se mbetet në pritje të përmbushjes së kërkesës ndaj sportistes, pra të analizës së kërkuar për verifikimin e gjinisë, duke garantuar për transparencë të procesit që për ta mbetet tërësisht sportive, dhe shpreh shqetësimin e përdorimit të tij si pretekst për shkelje të të drejtave individuale apo të komuniteteve të caktuara.

Por perceptimi në tërësi duket të jetë ndryshe edhe në mediat ndërkombëtare, përfshirë ato braziliane. Njëra prej tyre, “Melhor do Voley”, në lajmin e publikuar thekson faktin se dënimi ndaj sportistes braziliane në Shqipëri është i mbushur me paragjykime dhe transfobi, edhe pse sportistja është një grua cisgjinore, që do të thotë se ka një gjini që përkon me atë të lindjes, sipas tyre.

Në mbështetje të lojtares së Dinamos janë edhe shumë postime në rrjetet sociale nga volejbolliste kolege të saj, që shprehin mbështetjen në këtë situatë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta