Trafik droge nga Shqipëria në Greqi, kapen 193 kg marijuanë në kufi, shoferi braktis makinën dhe arratiset në këmbë

27/10/2025 14:03

Vijon me intensitet të lartë trafikimi i marijuanës nga Shqipëria drejt Greqisë.

Policia greke ka goditur një tjetër rast të trafikimit të drogës, duke sekuestruar një ngarkesë të madhe në kufirin greko-shqiptar.

Sipas njoftimit zyrtar, oficerët e Departamentit të Narkotikëve pranë Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit të Janinës, në bashkëpunim me policinë e Konicës, zbuluan dhe sekuestruan një sasi të konsiderueshme marijuane në një zonë të pyllëzuar të Konicës, pranë kufirit me Shqipërinë.

Gjatë kontrolleve të vazhdueshme, një drejtues automjeti privat, pasi vuri re patrullat e policisë, tentoi të shmangte kontrollin duke bërë një kthesë të menjëhershme dhe më pas rriti ndjeshëm shpejtësinë. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai humbi kontrollin e mjetit, i cili doli nga rruga dhe u ndal. Shoferi u largua me vrap në errësirë, duke përfituar nga terreni i vështirë malor dhe pyjor i zonës.

Në automjetin e braktisur, që mbante targa të huaja, policia gjeti 125 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 193 kilogramë e 212 gramë. Mjeti dhe droga u sekuestruan, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e drejtuesit të mjetit dhe të rrjetit të përfshirë në trafikim.

Sipas të dhënave të policisë greke, vetëm në dy muajt e fundit, janë sekuestruar rreth 435 kilogramë marijuanë që dyshohet se vinin nga Shqipëria. Rastet janë regjistruar në Selanik, Kostur, Janinë dhe Igumenicë, përfshirë edhe një tentativë trafikimi përmes rrugës detare.

Autoritetet greke kanë intensifikuar kontrollet përgjatë kufirit me Shqipërinë, pasi sasia e drogës së kapur gjatë muajve të fundit tregon se rrjetet e trafikantëve vijojnë të jenë aktive dhe po përdorin rrugë të ndryshme për të kaluar ngarkesat drejt territorit grek.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta