“Trego respekt, nuk je fenomen”/ Përplasja Conte-Lautaro, si filloi çdo gjë te Interi dhe u pasqyrua në “Maradona”

25/10/2025 22:32

Klima u bë e nxehtë në stadiumin “Diego Armando Maradona” gjatë ndeshjes Napoli–Inter, ku një episod i tensionuar solli në qendër të vëmendjes trajnerin Antonio Conte dhe kapitenin zikaltër, Lautaro Martinez.

Gjithçka nisi pas një kontakti mes Dumfries dhe Olivera-s, që shkaktoi reagimin e ashpër të Contes në pankinë. Në atë moment, Lautaro ndërhyri duke imituar me ironi gjestin e frikës ndaj ish-trajnerit të tij dhe më pas duke bërë shenjën “flisni, flisni” në drejtim të Contes.

Reagimi i italianit nuk vonoi: Conte u ngrit menjëherë nga pankina për t’u përballur me kapitenin argjentinas, por Hakan Çalhanoglu ndërhyri në kohë për ta qetësuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Episodi përfundoi me një buzëqeshje ironike të Lautaros dhe me britmën e Contes në drejtim të tij: “Qesh, qesh sa të duash…”

Ky nuk është konflikti i parë mes tyre. Të dy kishin pasur një përplasje të ngjashme gjatë kohës kur ishin bashkë te Interi, më 12 maj 2021, në ndeshjen ndaj Romës. Atëherë, Lautaro reagoi me nervozizëm pas zëvendësimit nga Conte, duke goditur një shishe në pankinë. Trajneri italian e qortoi publikisht duke i thënë: “Duhet të tregosh respekt, mos bëj sikur je fenomen.”

Më pas, situata u sqarua me humor në stërvitje, ku të dy improvizuan një “ndeshje boksi” me dorashka, nën vëzhgimin e Lukakut që luante rolin e prezantuesit.

Edhe pse kanë kaluar vite, duket se tensioni mes Contes dhe Lautaros nuk është shuar plotësisht, duke shtuar edhe më shumë “elektricitetin” e përballjes së madhe mes Napolit dhe Interit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta