Polemika në Napoli–Inter/ Penalltia e De Bruyne ndez debatet, ndeshja ndalet për katër minuta

25/10/2025 20:13

Ndeshja mes Napolit dhe Interit u ndez në minutën e 33-të, kur Kevin De Bruyne shënoi nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.

Megjithatë, vendimi për akordimin e penalltisë u shoqërua me polemika dhe një ndërprerje prej katër minutash, pas një episodi të diskutueshëm në zonën e zikaltrëve.

Gjithçka nisi në minutën e 29-të, kur pas një kombinimi të bukur me Anguissa-n, Di Lorenzo hyri në zonën e Interit dhe u përplas me Mkhitaryan, i cili e mbajti lehtë nga pas, duke shkaktuar një kontakt minimal. Kapiteni i Napolit u rrëzua, ndërsa Acerbi u hodh përpara tij për të ndërprerë aksionin. Loja vazhdoi për rreth tetë sekonda, para se gjyqtari Mariani të fishkëllente dhe të tregonte pikën e bardhë.

Ky vonim shkaktoi menjëherë reagime nga lojtarët e Interit, që dyshuan se vendimi mund të ishte ndikuar nga sinjale të ardhura përmes sistemit të komunikimit me VAR-in. Barella dhe Lautaro Martinez zhvilluan një debat të gjatë me gjyqtarin, ndërsa pritej analiza nga VAR Valerio Marini dhe AVAR Ivano Pezzuto.

Pamjet e rishikuara treguan një kontakt shumë të lehtë mes Mkhitaryan dhe Di Lorenzos, por pa ndërhyrje të qartë për faull nga Acerbi, i cili kishte prekur topin. Armeni, përveç se u akuzua për faull, u lëndua në aksion dhe u detyrua të linte fushën për t’u zëvendësuar nga Zielinski.

Për shkak të verifikimeve të gjata, penalltia u ekzekutua vetëm pas 4 minutash e 20 sekondash nga momenti i ndërhyrjes, me De Bruyne që e shndërroi në gol pa gabuar. Episodi pritet të jetë në qendër të analizave pas ndeshjes, duke rindezur debatin për përdorimin e VAR-it dhe interpretimin e faulleve në zonë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta