“Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët për mua”, Chivu i përgjigjet Contes: Unë nuk ankohem, kam dinjitet

25/10/2025 22:25

Pas deklaratave të Antonio Contes ndaj drejtuesve të Interit, nuk vonoi përgjigjja e trajnerit zikaltër, Cristian Chivu.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Napolin, tekniku rumun komentoi me ton të qetë, por të prerë, polemikën e fundit që kishte ndezur debatin mes dy klubeve.

“Shoqëria ka të drejtë të bëjë atë që mendon se është e drejtë. Unë, si trajner, për koherencë, nuk do të vij kurrë këtu për t’u ankuar, sepse kam dinjitet dhe një qasje ndryshe nga ajo me të cilën shumë janë mësuar,” – tha Chivu, duke iu referuar polemikës që nisi pas komenteve të Contes për ndërhyrjen e drejtuesve të Interit në media.

Conte kishte deklaruar më herët se “nuk do të kishte lejuar kurrë që një drejtues, edhe nëse është president si Marotta, të komentonte publikisht, sepse kjo i heq trajnerit hapësirën për të folur.”

Chivu zgjodhi të mos polemizojë, por të dërgojë një mesazh të qartë: “Lojtarët duhet të mendojnë vetëm për të luajtur. Unë po përpiqem të ndryshoj disa gjëra, por për momentin po luftoj vetëm. Jemi mësuar të qajmë e të ankohemi, por duhet të evoluojmë. Sa të jem këtu, do të vazhdoj në këtë mënyrë. Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët për mua.”

Trajneri i Interit foli edhe për tensionin në fushë mes Antonio Contes dhe Lautaro Martinez gjatë ndeshjes: “Nuk e di çfarë ka ndodhur dhe, për të qenë i sinqertë, as nuk më intereson shumë. Por do të flas me ta, sepse nuk mund të hedhim poshtë gjithë atë që kemi ndërtuar vetëm për një debat me pankinën kundërshtare. Duhet të mendojmë për atë që jemi dhe ku duam të arrijmë,” – përfundoi Chivu.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta