Një nga të burgosurit preu damarët, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri nisën realizimin e planit të arratisjes: Momenti i ajrimit…

25/10/2025 21:18

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja për tentativën e arratisjes së dy të burgosurve nga 313 në vitin 2021.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, tregohet e gjithë kronologjia e ngjarjes, si të burgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, tentuan të arratisen duke zbritur me një litar të improvizuar me çarçaf nga pjesa e ajrimit.

Policia pasi ka pikasur lëvizje të dyshimta, nga të paraburgosurit, ka nisur të vihet në lëvizje.

“Punonjësi i i vëzhgimit të ajrosjes Bledar Kurti deklaron se ka marrë shërbimin si çdo ditë në orën 08.00. Pasi ka marrë çelësat te oficeri i rojës është futur brenda në sektor në godinën ”A”, ku ka shkuar në vendin e punës i cili është lart te vendi i ajrimit dhe deri në 12.00 ka qëndruar atje dhe pas mbarimit të orarit të ajrosjes ka qëndruar në dhomat ku rrimë gjithnjë.

Para se të dilte përsëri në ajrosje ka parë një të paraburgosur i cili kishte prerë dorën dhe shkoi te infermieria. Rreth orës 14.50 ka shkuar përsëri në vendin e punës lart në ajrosje pasi në orën 15.00 rihapet përsëri. Në vendin e punës ku ai shërben dalin në të njëjtën kohë sektorët 1-2 i katit të 2 dhe në në krahun tjetër del sektori 2/4, dhe 2/5 të katit të 2.

Pasi mori përsëri shërbimin dhe u bëra gati për të pritur të paraburgosurit në ajrosje, ai ka dalluar se dy të paraburgosur hapën rrjetën dhe hypën mbi zgarën e ajrosjes. Ai ka shkuar menjëherë nga vend roja për ti ndaluar dhe arriti vetëm të kapte me një dorë një prej tyre, që e njohu si Fatmir Pjetrin por pa arritur ta ndalojë pasi ai i iku dhe iu drejtua fundit të ajrosjes, ku lidhën litarin dhe e hodhën në krahun e oborrit.

Ai ka bërtitur për tu dëgjuar nga polici poshtë kolonës, dhe ka shkuar të hapë derën e daljes nga sektori në ajrosje pasi ishte e mbyllur me shul nga të dy të paraburgosurit. Në këtë moment kanë ardhur dy policë të gatshëm, Edmond Prenga dhe Olti Myzyri të cilët hipën lart sipër zgarës së ajrosjes shkuan deri në fund për të parë të dënuarit dhe u kthyen pasi nuk panë asgjë.

​Punonjësi i vëzhgimit të ajrosjes Xhavit Kurti deklaron se ka marrë shërbimin në orën 08:00 dhe në atë moment elementët e sigurisë ishin në rregull dhe pa probleme. Rreth orës 15:00 ai është ngjitur tek bokset e ajrimit për të filluar ajrimin e pasdites për të p/burgosurit, ku sipas grafikut ka pasur ajrim sektori 2/4 dhe 2/5.

Kanë dalë për ajrim sektori nr.1 në krahun tjetër të ajrosjes dhe gjatë daljes në ajrim ka parë një kolegun e tij të bënte debat me të p/burgosurin Arbër Çekaj, i cili kishte hipur sipër zgarës dhe atij ju duk sikur kolegu i tij e kapi për këmbë por nuk arriti ta neutralizojë.

Në këtë moment duke qenë dhe me trup më të gjatë, ai ka hapur rrjetën sipër dhe është ngjitur në zgarë dhe i ka bërtitur punonjësit të policisë Fiqiri Halili që të njoftojë informacionin për ngjarjen pasi ai nuk kishite me vete as telefon dhe as radio dhe më pas nuk ka parë gjë për këtë ngjarje.

Ndihmës specialist informacioni Ali Almeta deklaron se ka marrë shërbimin në orën 06:15 dhe ka dalë të rreshtuar turnin e parë të efektivëve. Pas instruktazhit të bërë nga s/informacionit ai është futur bashkë me trupën për kontrollin fizik te skaneri, dhe kanë bërë shoqërimet në godinat përkatëse sipas sektorëve.

Në orën 14:30 ai është lajmëruar nga zyra e informacionit se i p/burgosur Lulzim Çepele ka prerë damarët. Specialisti i informacionit e ka dërguar për të njoftuar infermieren që të komunikojë me mjeken, ku pas komunikimit të tyre u vendos që Lulzim Çepele të dërgohej në urgjencë. Rreth orës 14:50 ai ka marrë detyrë nga s/informacionit që të merrte të p/burgosurin e dëmtuar bashkë me dy punonjës të tjerë si dhe specialistin e trupës për ta dërguar atë në urgjencë.

Në momentin që ata po dilnin në tunel, ka dëgjuar nga jashtë derës zhurma dhe të bërtitura, dhe në këtë moment ata e kanë lënë të paraburgosurin te kontrolli me policin e rolit bazë dhe bashkë me dy pjesëtarë të grupit të sigurisë dhe specialistin e trupës kanë dalë jashtë në oborr.

Aty ai ka parë një nga as/informacionit Myfit Xheka të gjakosur në kokë dhe të punonjësin e sigurisë Lefter Hysenlika i cili kishte neutralizuar të p/burgosurin Fatmir Pjetrin, me pas kam parë dhe të p/burgosurin Arbër Çeka dhe ata kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe prangosur.

​Specialist i informacionit Myfit Xheka deklaron se në orën 06:30 ka marrë shërbimin deri në orën 19:00, ku ai ka si detyrë menaxhimin e gjithë aktivitetin e institucionit”, thuhet në dosje.

Prokuroria tashmë kërkon gjykim për policët Oldian Myzyri, Bashkim Muça dhe Redion Maloku, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta