Kaos në Napoli–Inter/ Ngatërresë me kartonin e verdhë, Gilmour afër përjashtimit për një gabim të…

25/10/2025 20:25

Ndeshja mes Napolit dhe Interit nuk u shoqërua vetëm me polemika për penalltinë e akorduar ndaj Mkhitaryan për faullin ndaj Di Lorenzos, por edhe me një episod të pazakontë që për pak çoi në një keqkuptim të madh.

Gjyqtari Maurizio Mariani u përfshi pa dashje në një moment konfuzioni, pas një kartoni të verdhë që shkaktoi hutim tek tifozët dhe komentatorët.

Gjithçka ndodhi në minutën e 43-të të pjesës së parë. Interi po e qarkullonte topin në krahun e majtë, kur Di Lorenzo ndërhyri me vonesë ndaj Dimarcos. Topi më pas përfundoi mes Gilmour dhe Calhanoglu, me mesfushorin skocez që faulloi turkun. Mariani fishkëlleu dhe nxori një karton të verdhë, por pamjet televizive krijuan konfuzion: regjia la të kuptohej se ndëshkimi ishte për Gilmourin.

Në të vërtetë, arbitri kishte lënë avantazhin për Interin pas faullit të parë të Di Lorenzos, dhe pasi aksioni nuk u konkretizua, ai u kthye pas për të ndëshkuar kapitenin e Napolit. Këtë e konfirmon edhe fakti që goditja e dënimit u ekzekutua pranë pankinës, aty ku ishte kryer ndërhyrja e Di Lorenzos.

Megjithatë, shumë shikues dhe komentues në televizion menduan se kartoni i verdhë ishte për Gilmourin. Kështu, kur skocezi ndërhyri sërish ndaj Dumfries në minutën e 51-të dhe u ndëshkua me një tjetër të verdhë, të gjithë prisnin që Mariani t’i tregonte të kuqin. Për disa minuta, u krijua një “mister” mbi ndëshkimin e tij, që u sqarua vetëm gjatë pushimit të pjesës së parë: kartoni i parë nuk kishte qenë për Gilmour, por për Di Lorenzon.

Një episod i rrallë që tregon se edhe gabimet televizive mund të shkaktojnë kaos në interpretimin e vendimeve arbitrare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta