Shumë njerëz kanë frikë nga dentisti, sidomos kur zëvendësimi i një dhëmbi kërkon kirurgji invazive dhe implantimin e një vidë titani në nofull, duke pritur muaj për t’u shndërruar në rrënjë artificiale, përpara vendosjes së kurorës mbi të.

Por shkencëtarët po punojnë për mënyra për të rritur ose implantuar dhëmbë biologjikë direkt në nofullën e njeriut. Në King’s College London, Ana Angelova Volponi ka eksperimentuar me dhëmbë të rritur në laborator për dy dekada. Në vitin 2013, ekipi i saj arriti të rritë një dhëmb nga qeliza njerëzore dhe miu. Ky vit solli një avancim të madh në materialin që mban dhëmbin në laborator, duke krijuar një ambient më të ngjashëm me atë natyror ku zhvillohen dhëmbët biologjikë.

Qeliza e njeriut merret nga mishrat e gojës dhe kombinohet me qeliza embrionale të dhëmbit të miut, duke krijuar një “lidhje” mes qelizave që nxit formimin e dhëmbit. Materiali i ri, një hidrogel, lejon rritjen e strukturave të ngjashme me dhëmbët në laborator brenda tetë ditësh, një hap kyç drejt zëvendësimit të qelizave embrionale të miut me qeliza njerëzore. Avantazhi i një dhëmbi biologjik është i qartë: ai do të integrohet natyrshëm në indet e pacientit, pa inflamacion apo refuzim, dhe do të ketë ndjesinë dhe elasticitetin e një dhëmbi të vërtetë – diçka që implantet artificiale nuk e ofrojnë.

Grupet kërkimore punojnë gjithashtu në teknika të ndryshme për rritjen e dhëmbëve, duke përdorur qeliza njerëzore, qeliza derri dhe qeliza burimore të dhëmbëve. Synimi final është të stimulohet rritja e dhëmbëve në nofullën e njeriut pa përdorur qeliza shtazore. Ekspertët besojnë se brenda një dekade, riparimi dhe zëvendësimi biologjik i dhëmbëve mund të bëhet një opsion realist në stomatologjinë klinike.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta