Dy të burgosurit tentuan arratisjen me litar të improvizuar, Prokuroria e Tiranës i dërgoi në gjyq, ja çfarë thuhet në dosje

25/10/2025 20:57

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për arratisjen e dy të burgosurve nga 313 në vitin 2021, duke dërguar në gjyq tre policët e pandehur.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, tregohet e gjithë kronologjia e ngjarjes, si të burgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, tentuan të arratisen duke zbritur me një litar të improvizuar me çarçaf nga pjesa e ajrimit.

Sipas dokumenteve janë pamjet filmike ato të cilat nxorën zbuluar të gjitha lëvizjet e kryera atë ditë nga të paraburgosurit.

Prokuroria tashmë kërkon gjykim për policët Oldian Myzyri, Bashkim Muça dhe Redion Maloku, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“Prokuroria Pranë Gjykatës të Shkallës të Parë Tiranë, mbi bazën e referimit të ardhur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë të Drejtësisë, në datën 09.08.2021 ka regjistruar procedimin penal nr.5648 për veprat penale të parashikuara nga nenet 323-25, 324 dhe 237 të Kodit Penal.

Me vendimin e datë 13.01.2022 nga ky procedim janë veçuar aktet lidhur me hetimin e faktit nëse konstatoheshin veprime të kundraligjshme nga punonjësit e policisë të burgjeve, për veprën penale të “shpërdorimi i detyrës” të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, në një çështje penale më vete me nr.5648/1.

​Sipas referimit të bërë, në datë 08.08.2021, policia gjyqësore në SHKB ka marrë njoftim zyra e informacionit të IEVP “Jordan Misja“ Tiranë se rreth orës 15:40 të asaj dite të paraburgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri kanë tentuar të arratisen duke zbritur me një litar të improvizuar me çarçaf, nga pjesa e ajrimit që ndodhen në tarracën e godinës “A” te shkallët e administratës dhe më pas janë neutralizuar nga forcat e policisë në pjesën e oborrit të IEVP. ​

​Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë fakt nga policia gjyqësore janë filluar hetimet paraprake. Nga policia gjyqësore janë marrë pamjet filmike që mbulojnë ambientet e brendshme dhe të jashtme të IEVP “Jordan Misja” dhe është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes. Nga këqyrja e pamjeve filmike dallohen të gjitha lëvizjet e kryera atë ditë nga të paraburgosurit Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri.

Gjatë tentativës për arratisje, specialisti i informacionit Myfit Xheka është goditur me send të fortë në kokë nga Fatmir Pjetri dhe sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr.601 datë 13.08.2021 tek Myfit Xheka konstatohet një plagë në pjesën e sipërme të kokës, shkaktuar me mjet të fortë mbretës, që ka sjellë humbje të aftësisë për punë mbi 9 ditë.

Është marrë me proces-verbal për këqyrje-marrje gjithë dokumentacioni që ka lidhje me tentativën e arratisjes nga këta të paraburgosur. Po kështu janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale disa sende të përdorura nga autorët e veprës për të realizuar arratisjen si një litar i improvizuar me me ngjyrë blu në të bardhë me gjatësi të përgjithshme 17 m, një hekur në formë e shkronjës “S” me gjatësi 72 cm si dhe një shufër hekuri me teh të mprehtë në njërën anë, me gjatësi 13 cm.

Policia gjyqësore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele, si bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 323 të Kodfit Penal si dhe janë pyetur të gjithë punonjësit e IEVP që ishin me shërbim në atë moment lidhur me rrethanat e ngjarjes”, thuhet në dosje.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta