Një ngjarje tronditëse ka goditur botën e motorsportit në Spanjë.

Antolin Gonzalez Jr, dikur i konsideruar si një nga talentet më premtues të garave me makina dhe krahasuar me Fernando Alonso, ka pranuar se ka qëlluar për vdekje babain e tij, 56-vjeçarin Antolin Gonzalez Sr, gjatë një konflikti të dhunshëm.

Ngjarja ka ndodhur në fillim të muajit korrik, në magazinën e familjes Gonzalez në qytetin Aranda de Duero. Sipas mediave spanjolle, biznesmeni Gonzalez Sr është goditur me thikë në qafë, duke ndërruar jetë pak pasi shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje.

23-vjeçari u arrestua disa orë më vonë në qytetin fqinj Sinovas, pasi kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Ai ka deklaruar para hetuesve se ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi i ati kishte nxjerrë një thikë tip “machete”, rreth 15 centimetra e gjatë. Sipas tij, vrasja ka ndodhur aksidentalisht gjatë përleshjes.

Gjatë hetimeve, Gonzalez Jr ka bashkëpunuar me autoritetet, duke treguar vendin ku kishte hedhur çantën e palestrës dhe armën e krimit. Çanta është gjetur, por thika ende nuk është gjetur.

Mediat spanjolle raportojnë se ai po kërkon një marrëveshje me prokurorinë për të përfituar një dënim më të lehtë, ndërsa procesi gjyqësor është ende në zhvillim.

Antolin Gonzalez Jr kishte nisur karrierën në motorsport që në moshë të vogël, duke u bërë piloti më i ri në histori që testonte një makinë Formula 3 në moshën 13-vjeçare. Ai kishte garuar në Formula 4 të Spanjës, Asian Formula Renault dhe Formula Masters China, por karriera e tij u ndërpre para se të arrinte majat e pritura.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta