“Shtohet numri i armëve pa leje”, ekspertët: Krimi për ‘burrëri’, më i rrezikshmi

24/10/2025 12:32

Ngjarjet kriminale ku individët shohin si zgjidhje të konflikteve përdorimin e armëve, kanë qenë të shumta jo vetëm në javët e fundit, por prej vitesh në vendin tonë.

E pikërisht të tilla ngjarje që po ndodhin në ambiente  publike kanë ngritur shqetësim për sigurinë e qytetarëve.

Shoqërisë sonë i rritet niveli i rriskut për shkak të kalimit nga krimi i organizuar në krimin e çorganizuar, pra në krimin e rëndomtë, në krimin e gjaknxehtësisë, në vetëgjyqësi, përfshirë dhe krimin në familje etj. Shoqëria jonë përballet me një kërcënim gjithnjë e më në rritje nga ky lloj krimi i çorganizuar i cili gjithnjë e më tepër do ta ketë të lehtë të aksesojë armë dhe të arrijë qëllimin vetëgjyqësisë, gjaknxehtësisë, “burrërisë” etj.”, shprehet eksperti për çështjet e sigurisë, Ergys Muzhaqi.

Të gjitha ngjarjet e ndodhura së fundmi të cojnë drejtë pyetjes: Përse është kaq e lehtë që të sigurosh një armë në vendin tonë? Eksperti për cështjet e sigurisë, Ergys Muzhaqi  shpjegon se ka një shtim të trafikimit të armëve në Shqipëri.

Nuk është se kemi të bëjmë vetëm me armët e vjetra që u morën në 97. Trafikimi i armëve ka vazhduar gjatë gjithë kohës dhe mendoj që kohët e fundit ka një shtim të fluksit të trafikimit të armëve. Në Shqipëri duke qenë se jemi shoqëri e vogël, ajo shprehja që me të pyetur gjen Stambollin, me të pyetur gjen armën sa herë të duash. Nuk po them që shteti është inekzistent në këtë aspekt, absolutisht por sigurisht që ka dobësi të strukturave përderisa sidomos elementi kriminal e ka të lehtë ti gjej këto armë. Çmimet sipas armës variojnë në disa pak qindra euro deri në disa mijëra pak euro në varësi të kalibrit apo sofistikimit që ka arma”, shprehet Ergys Muzhaqi, ekspert për çështjet e sigurisë.

Ajo çka e bën dhe më alarmante situatën është fakti që armët dhe dhuna po përdoren kryesisht nga moshat e reja.

Ky është një problem social që ka të bëjë me mënyrën e perceptimit. Mendoj që kryesish brezat më të rinj janë më të prekur nga ky fenomen, në moshën rreth 30 vjeç e më poshtë, sepse dhe mënyra si i filtrojnë dhe i përpunojnë informacionet dhe si sillen në bazë të informacioneve dhe nevojave që kanë, është brezi i prekjes së telefonit me gisht, reels-ave 90 seç dhe vendimet duhet ti marrin dhe ti perceptojnë në një kohë kaq të shkurtër dhe kaq të lehtë, dhe kjo reflektohet pastaj te perdorimi i armëve për qëllimet e tyre imediati po i quaj, pra për arritjen e qëllimeve me çdo kusht”, shton Muzhaqi.

Arma në duart e rinjve paraqet një sfidë për shoqërinë  dhe institucionet shqiptare që duhet të shpalosin masa konkrete për të çuar në ulje e krimit në vend.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta