Tare e ka gati planin, një mbrojtës dhe dy lojtarë yje, çfarë do të bëjë Milani në janar përveç Fullkrug?
Ish-sulmuesi i njohur Amauri, dikur ndër më të frikshmit në Serie A, ka rrëfyer historinë e jetës dhe karrierës së tij në një intervistë të gjatë, plot kujtime, pengje dhe momente krenarie.
Nga ditët e vështira në Brazil te sukseset me Juventusin dhe ftesa për kombëtaren italiane, braziliani që u bë “italian” kujton gjithçka me sinqeritet dhe emocione.
Amauri, si nisi gjithçka? A ke pasur ndonjëherë frikë se nuk do t’ia dilje?
“Sigurisht. Askush nuk më donte në Brazil. Italia dhe turneu i Viareggio-s ma ndryshuan jetën. Ishte viti 2000, isha vetëm 19 vjeç dhe i premtova vetes se nëse nuk funksiononte as kështu, do të kthehesha në shtëpi e do të hiqja dorë. Familja ime kishte nevojë për mua dhe nuk mund të humbisja më kohë.”
Kur e kuptove se mund të arrije majat?
“Në vitin tim të dytë te Chievo. Isha dominues dhe njerëzit nisën të më shihnin ndryshe. Liverpool dhe Arsenal më kontaktuan, por për shkak të problemeve burokratike, si shtetas jo-BE, nuk u realizua. Do të kisha dashur shumë të luaja në Anfield.”
“Jo, nuk ekzagjeronte. Isha në formë të jashtëzakonshme, shënoja në çdo mënyrë. Drogba më tha vetë se më ndiqte dhe më admironte. Më kishte lexuar në gazeta që më krahasonin me të në Itali.”
Çfarë kujtimesh ke nga presidenti Maurizio Zamparini?
“Një person i veçantë, i gëzuar dhe shumë emocional. Një herë, pas humbjes 3-0 me Sampdorian, hyri në dhomën e zhveshjes dhe na solli kuti dhuratash. Në timen ishte një shall. ‘Kjo do t’ju kujtojë turpin që keni bërë’, na bërtiti. I thashë ta linte aty dhe u largova. Që nga ajo ditë nisëm të fitonim shpesh.”
“Roma dhe Milani më donin – Ancelotti më kishte në listë për të zëvendësuar Inzaghin”
“Pas sezonit të parë në Palermo, Roma më kërkoi. Baldini më tha se do të isha partneri perfekt i Tottit. Edhe Milani më donte; Ancelotti më kishte vënë në krye të listës për të zëvendësuar Inzaghin. Por në fund shkova te Juventusi.”
“Te Juventusi ndjeva çfarë do të thotë kultura e fitores”
“Ishte një botë tjetër. Luajta me Del Pieron, Trezeguet dhe Iaquintën. Fitorja kundër Real Madridit ishte një ëndërr – shënova golin e dytë në atë ndeshje të paharrueshme.”
“Mourinho më donte te Real Madridi, por unë isha i lumtur te Juve”
“Është e vërtetë, Mourinho më donte. Bronzettit më tregoi se më kishte kërkuar për Realin, por unë isha mirë te Juventusi dhe nuk e mora seriozisht. Isha në momentin më të mirë të karrierës.”
“Qava gjatë gjithë rrugës për në Coverciano – ëndrra ime u bë realitet”
“Kur u thirra nga kombëtarja italiane, qava gjatë gjithë rrugës me Marchision. Isha fëmija nga periferia e São Paulo-s që arriti të luante për Juventusin dhe Italinë. Ishte si një film i jetës sime.”
“Conte më donte, por klubi kishte plane të tjera”
“Conte më tha: ‘Për mua të gjithë nisin nga e para’. Por personi që më kishte sjellë te Juve nuk ishte më aty. Përfundova jashtë skuadrës, duke u stërvitur me të rinjtë. Ishte një fund i dhimbshëm.”
“Crespo më telefonoi dhe më solli te Parma – shpëtuam nga rënia”
“Crespo më tha: ‘Nëse vjen, do ta shpëtojmë këtë ekip’. Dhe kështu ndodhi. Shënova shumë gola dhe shmangëm rënien. Prandelli më thirri sërish në kombëtare, por u dëmtova kundër Udineses.”
“Do të kisha menaxhuar ndryshe disa vendime”
“Në vitin 2010, pas debutimit me Italinë, u dëmtova por vazhdova të luaja. Katër muaj me dhimbje, dhe përfundova në përplasje me tifozët. Do të doja ta kisha menaxhuar më mirë veten.”
“Del Piero ishte partneri perfekt – Miccoli, bashkë mbretërit e Palermos”
“Del Piero është unik. Kurrë nuk të bën të ndihesh më pak se ai. Ndërsa me Miccolin kishim një lidhje të natyrshme. Ishim mbretërit e Palermos.”
“Djali im Hugo ndoshta do të jetë pasardhësi im”
“Hugo ka lindur në 2008 dhe luan me të rinjtë e Palermos. E ndjek nga afër, por dua që të përqendrohet dhe ta tregojë vetë vlerën e tij.”
“Sot jetoj në Miami, kam restorant dhe prodhoj verë e birrë”
“Nuk më mungon futbolli. Kam pasur oferta, por zgjodha jetën jashtë fushës. Jetoj në Miami, udhëtoj shpesh dhe merrem me restorantin tim. Jam njeri kurioz, tani po realizoj të gjitha pasionet e mia.”
Top Channel