Një shqiptar i identifikuar si Meltjan Isufi, është dënuar me gjashtë vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u kap duke shitur kokainë çdo ditë në Chester.

34-vjeçari kishte hyrë për herë të dytë në Britani në mënyrë të paligjshme, duke përdorur një dokument identifikimi fals, pasi më parë ishte dëbuar për drogë.

Isufi, u dënua të hënën në Gjykatën e Kurorës në Chester, pasi pranoi fajësinë për posedim dokumenti identifikimi të rremë, përfshirje në furnizimin me kokainë, fitim të pasurisë kriminale dhe hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar në shkelje të urdhrit të dëbimit.

Hetimet ndaj tij nisën më 23 dhjetor 2024, kur policia arrestoi një person tjetër në Chester dhe gjatë kontrollit në banesën e tij gjeti një sasi të madhe kokaine, para dhe prova që e lidhnin me trafikun e drogës. ADN-ja e Isufit u gjet në një nga paketat me drogë.

Hetimet çuan në identifikimin e një numri telefoni që përdorej për të shitur drogën. Numri rezultoi të ishte në përdorim nga Isufi, i cili e njihte veten me emrin “Anton”. Pas një hetimi të gjerë, policia bastisi shtëpinë e tij më 19 shtator 2025, ku gjeti telefonin që përmbante kontakte të më shumë se 800 klientëve.

Sipas policisë, linja e drogës e drejtuar nga Isufi ishte mirëorganizuar dhe shpërndante kokainë çdo ditë në Chester dhe zonat përreth. Gjatë bastisjes u sekuestruan 17,585 paund cash, sasi kokaine dhe një kartë identiteti e falsifikuar greke që ai kishte përdorur për të hyrë ilegalisht në vend.

“Isufi kishte qenë më parë i dënuar dhe i dëbuar për vepra të ngjashme, por zgjodhi të kthehej sërish ilegalisht për të vazhduar tregtinë e drogës. Operacioni i tij ishte i sofistikuar dhe funksiononte çdo ditë, por ai nënvlerësoi vendosmërinë e oficerëve tanë. Falë hetimit të tyre, një linjë e rëndësishme droge u shkatërrua dhe Isufi tani ndodhet pas hekurave për një kohë të gjatë.”-deklaroi dedektivi Richard Connolley.

Policia britanike theksoi se “kushdo që vjen në Cheshire për të kryer krime, do të kapet dhe do të përballet me pasojat e veprimeve të tij.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta