Humbja e Romës zbulon polemikat, Dybala kritikon ekpin, Gasperini e ka me argjentinasin: Po të mos ishte penalltia nuk do të shënonim as këtë herë
Ndërsa sezoni i ri i NBA sapo ka nisur, një skandal i madh ka shpërthyer jashtë parketit të basketbollit amerikan, duke tronditur ligën.
Dy figura të njohura të basketbollit amerikan, trajneri i Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, dhe mbrojtësi i Miami Heat, Terry Rozier, u arrestuan nga FBI, nga një aksion që çoi pas hekurave dhjetëra persona, dhe po hetohen për përfshirje në aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit.
Sipas mediave amerikane, Rozier dyshohet se është përfshirë në një rrjet bastesh sportive të paligjshme, ndërsa Billups po hetohet për lidhje me një operacion pokeri të dyshuar që ka lidhje me strukturat mafioze. Në një konferencë për media, drejtori i FBI tha se operacioni u zhvillua në 11 shtete, ku u arrestuan 30 persona, ndërsa të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm rezultojnë edhe të paktën 3 familje mafioze.
Dyshohet se Rozier dhe Billups paracaktonin rezultatet me urdhër të mafiozëve për përfitime financiare
Hetimi nisi në mars të vitit 2023, pas dyshimeve për një ndeshje mes Charlotte Hornets, skuadrës ku Rozier luante në atë kohë, dhe New Orleans Pelicans. Në disa platforma bastesh u regjistrua një rritje e çuditshme e basteve që parashikonin një performancë të dobët të Rozier-it në pikë, rikuperime dhe asistime.
Brenda më pak se një ore, një bastvënës profesionist vendosi tridhjetë baste me një shumë totale prej rreth 14 mijë dollarësh, duke detyruar disa agjenci të mbyllnin bastet mbi emrin e Rozier-it. Rastësisht ose jo, ai u tërhoq nga loja pas vetëm dhjetë minutash, për shkak të një dëmtimi të dyshuar në këmbë.
Ky skandal ka hapur sërish debatin mbi marrëdhënien gjithnjë e më të ndërlikuar mes sportit profesional dhe industrisë së basteve sportive në SHBA. Hetimi federal pritet të ketë pasoja të rënda jo vetëm për Rozier dhe Billups, por edhe për mënyrën se si NBA dhe ligat e tjera do të monitorojnë marrëdhëniet e sportistëve me industrinë e basteve në të ardhmen. Ky mbetet një nga skandalet më serioze që ka përfshirë NBA-në në dekadën e fundit, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe etikën e një prej ligave më të fuqishme sportive në botë.
Top Channel