
Sezoni i ri i NBA-së sapo ka nisur, por liga është tronditur nga një skandal i madh që prek integritetin e saj.
Dy figura të njohura të basketbollit amerikan, trajneri i Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, dhe mbrojtësi i Miami Heat, Terry Rozier, janë arrestuar dhe janë vënë nën hetim federal për përfshirje në aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit.
Lajmi është konfirmuar nga agjencitë e mëdha ndërkombëtare si AP dhe Reuters, duke cituar burime të afërta me hetimin.
Hetimi, i udhëhequr nga Prokuroria e Distriktit Lindor të Nju Jorkut dhe nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), ka nisur pas raportimeve për aktivitet të pazakontë bastesh që datojnë që nga marsi i vitit 2023. Ngjarja që ka ndezur dyshimet lidhet me një ndeshje midis Charlotte Hornets, skuadrës ku Rozier luante në atë kohë, dhe New Orleans Pelicans.
Në disa platforma bastesh u regjistrua një rritje e çuditshme e basteve që parashikonin një performancë të dobët të Rozier-it në pikë, rikuperime dhe asistime.
Brenda më pak se një ore, një bastvënës profesionist vendosi tridhjetë baste me një shumë totale prej 13,759 dollarësh, duke detyruar disa agjenci të mbyllnin bastet mbi emrin e Rozier-it. Rastësisht ose jo, ai u tërhoq nga loja pas vetëm dhjetë minutash për shkak të një dëmtimi të dyshuar në këmbë.
Sipas ESPN dhe Sports Illustrated, NBA kishte hapur një hetim të brendshëm në vitin 2023, gjatë të cilit Rozier bashkëpunoi plotësisht me autoritetet dhe me ligën, madje mori pjesë në disa takime informuese me përfaqësues të FBI-së.
Në atë kohë, nuk u gjetën shkelje të rregullave dhe ai u lirua nga çdo akuzë. Megjithatë, sipas burimeve më të fundit, autoritetet kanë zbuluar prova të reja që e lidhin lojtarin me një rrjet të gjerë bastesh të paligjshme, ku dyshohet se përfshihej edhe trajneri Chauncey Billups.
Arrestimet e tyre janë kryer të mërkurën në mbrëmje, ndërsa pritet që prokurori federal dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, të mbajnë një konferencë për shtyp gjatë pasdites së së enjtes, më 23 tetor, ku do të zbulojnë detaje të reja mbi hetimin dhe akuzat e mundshme.
Aktualisht, as NBA dhe as klubet përkatëse nuk kanë dhënë deklarata të plota, por burime pranë ligës kanë konfirmuar se po përgatitet një reagim zyrtar.
Ky skandal ka hapur sërish debatin mbi marrëdhënien gjithnjë e më të ndërlikuar mes sportit profesional dhe industrisë së basteve sportive në SHBA.
Me legalizimin e basteve në shumë shtete, bastet mbi statistika individuale të lojtarëve (“prop bets”) janë bërë tepër të zakonshme, duke shtuar rrezikun që individë të brendshëm të ndikojnë në mënyrë të paligjshme mbi rezultate ose performanca.
Hetimi federal pritet të ketë pasoja të gjera jo vetëm për Rozier dhe Billups, por edhe për mënyrën se si NBA dhe ligat e tjera do të monitorojnë marrëdhëniet e sportistëve me industrinë e basteve në të ardhmen.
Në pritje të zhvillimeve të reja, ky mbetet një nga skandalet më serioze që ka përfshirë NBA-në në dekadën e fundit, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe etikën e një prej ligave më të fuqishme sportive në botë.
Top Channel