Fiks Fare/ Bishani, fshati ku banorët bëjnë akrobaci nëpër tuba për të shkuar në arat e tyre

23/10/2025 21:00

Në buzë të autostradës Fier–Vlorë ndodhet fshati Bishan, por për banorët e tij, autostrada Fier–Vlorë është bërë një pengesë e madhe.

Prej ndërtimit të saj në vitin 2009, rreth 100 familje nuk kanë më asnjë rrugë për të shkuar në tokat e tyre bujqësore.

Emisioni “Fiks Fare” shkoi për të parë nga afër situatën, ku zbuloi një skenë që s’e imagjinon dot askush. Për të shkuar në ara, duhet të futesh nëpër një tub kullues, të ngushtë e të errët, duke u përkulur si “filipinët në xhungël”, siç shprehen vetë banorët.

“Ne ju kemi thirrur se s’kemi rrugë për te tokat tona. Na ndan autostrada në mes. Kalojmë vetëm përmes asaj tombine, me krahët plot ngarkesë,” – tregon një nga banorët.
Një tjetër shton: “Gruaja ime ra aty brenda dhe theu dorën. Janë 200 hektarë tokë që jemi të detyruar t’i mbjellim me ullinj, se makineritë nuk futen dot. Po unë dua të mbjell grurë, jo vetëm ullinj.”

Në Bishan, gomari nuk futet me ngarkesë, traktori s’ka nga të kalojë dhe misri i korrur nxirret me karro dore. Për të arritur në arat e tyre, disa banorë detyrohen të bëjnë kilometra të tëra deri në Novoselë apo Levan, për të hyrë nga rruga e vjetër e fshatit.

Ata tregojnë se kanë protestuar që në vitin 2009, kur autostrada u ndërtua, duke kërkuar kompensim për tokat dhe një rrugë lidhëse. “Kemi takuar ish-kryetarin Leli, pastaj Dredhën… të gjithë na kanë thënë ‘do zgjidhet’. Por rruga nuk u hap kurrë, kompensimi nuk u dha, dhe sot jemi po në të njëjtin vend,” – shprehen ata me dëshpërim.

Administratori i Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, pranon se ankesa është e përsëritur dhe reale, por problemi është i ndërlikuar nga mungesa e dokumentacionit.
“Ankesën e tyre e kemi marrë disa herë. Problemi është se disa janë shpronësuar, disa jo. Fshati Bishan nuk ka bërë azhornimin e tokës që nga viti 1991, ndaj nuk kanë certifikata pronësie. Kështu nuk dihet ku mbaron toka private dhe ku fillon ajo e shtetit,” – shpjegon ai.

Pra, jo vetëm që banorët s’kanë rrugë, por nuk dihet as kujt i përket toka ku duan të shkojnë!

Banorët kërkojnë vetëm një gjë, një nënkalim ose rrugë lidhëse që t’u mundësojë qasjen në tokat e tyre. Ata nuk kërkojnë favore, por të drejtën për të punuar tokën që u përket me djersë e dokumente.
“Autostrada na ndau më dysh. Tani duam vetëm një rrugë që të na bashkojë me jetën tonë të përditshme,” – thotë një i moshuar që çdo ditë kalon nëpër tub me një thes në krah.

Në Shqipërinë e vitit 2025, banorët e Bishanit kalojnë ende nën autostradë për të shkuar në arat e tyre. Dhe ndërsa institucionet hedhin përgjegjësinë nga njëra anë në tjetrën, fshati mbetet peng i një tubi kullues.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta