Një rikthim i mundshëm i Sandro Tonalit në Itali duket se po bëhet gjithnjë e më i largët.

Sipas mediave kryesore angleze, mesfushori italian ka rinovuar kontratën me Newcastle United, duke e zgjatur atë nga viti 2028 në 2029, me një opsion për ta zgjatur edhe deri në vitin 2030.

Lajmi ka dalë vetëm në orët e fundit, por marrëveshja nuk është e re. Në fakt, ajo është firmosur gjatë periudhës së pezullimit të tij, si pasojë e përfshirjes në një skandal bastesh – një ndalim që zgjati nga tetori i vitit 2023 deri në gusht të 2024-s.

Sipas raportimeve, rinovimi ishte pjesë e strategjisë së klubit për të menaxhuar më mirë bilancin financiar, në një periudhë kur lojtari nuk ishte në dispozicion për plot 10 muaj.

Gjatë këtij pezullimi, vetë Tonali kishte lënë të kuptohej se një rikthim në Serie A ishte një opsion i hapur, duke mos përjashtuar asnjë pistë. Juventusi, në veçanti, kishte shfaqur interes për të, por një transferim i mundshëm është bërë tashmë thuajse i pamundur.

Përveç vlerës së lartë të kartonit, për të cilin mediat spekulonin deri në 150 milionë euro, tani klubi që kërkon shërbimet e italianit duhet të përballet edhe me një kontratë të gjatë, që e mban Tonalin të lidhur me Premier League për shumë vite të tjera.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta