Trump anuloi takimin me Kremlinin pasi e quajti “humbje kohe”/ Rusia nis stërvitjet bërthamore, Putin mbikëqyr nga afër përgatitjet

22/10/2025 17:16

Presidenti rus Vladimir Putin mbikëqyri ditën e sotme një stërvitje të gjerë të forcave strategjike bërthamore të vendit, që përfshiu edhe lëshime praktike raketash. Kjo manovër vjen në një kohë kur samiti i planifikuar i tij me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, lidhur me konfliktin në Ukrainë, është pezulluar.

Në deklaratën zyrtare, Kremlini tha se qëllimi i stërvitjes ishte testimi i aftësive të strukturave të komandës ushtarake dhe procedurave për autorizimin e përdorimit të armëve bërthamore.

Putin theksoi se stërvitjet ishin planifikuar më parë, por ato u zhvilluan vetëm pak orë pasi Presidenti Trump njoftoi se kishte pezulluar takimin e planifikuar në Budapest, duke e cilësuar si një “humbje kohe”.

Takimi, i shpallur nga Trump javën e kaluar, u pezullua pas një telefonate mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Në komentet e tij të martën, Lavrov deklaroi se Rusia është kundër një armëpushimi të menjëhershëm në Ukrainë. Ndërkohë, Trump ka ndryshuar qëndrim disa herë gjatë vitit lidhur me luftën, përfshirë çështjen nëse armëpushimi duhet të paraprijë negociatat për paqe, si dhe nëse Ukraina duhet të rifitojë territoret e pushtuara nga Rusia gjatë katër viteve të luftës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se një samit mes dy presidentëve duhet të përgatitet me kujdes për të qenë i suksesshëm.

“Askush nuk dëshiron të humbasë kohë, as Presidenti Trump dhe as Presidenti Putin. Të dy janë liderë të mësuar të punojnë me efikasitet të lartë, por ky efikasitet kërkon përgatitje të mirëfilltë”, tha Peskov.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta