
37 persona janë arrestuar në Greqi, disa javë pas zbulimit të një prej skandaleve më të mëdha me përvetësimin e subvencioneve bujqësore të Bashkimit Evropian me vlerë miliona euro nga agjencia për menaxhimin e fondeve evropiane ,OPEKEPE .
Operacionet e policisë u zhvilluan në Athinë, Selanik, Janinë dhe Kretë, pas hetimeve të agjencisë evropiane kundër mashtrimit OLAF dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian. Sipas hetuesve, të dyshuarit mashtronin duke deklaruar tokë bujqësore të rreme, madje edhe në zona arkeologjike, aeroporte ushtarake apo në malin Olimp, për të përfituar fonde që u takonin fermerëve të vërtetë.
Gjatë hetimit paraprak, 324 individë u identifikuan si përfitues të subvencioneve, duke shkaktuar një humbje të vlerësuar prej mbi 19.6 milionë eurosh për buxhetin e Bashkimit Evropian. Dosja e çështjes përfshin 125 të pandehur, të cilët morën subvencione në periudhën 2018 – 2024. Dy javë më parë në një vizitë të saj në Athinë prokurorja e përgjithshme e BE Laura Kovesi e përshkroi OPEKEPE si “akronim për korrupsion dhe nepotizëm”, duke theksuar se sistemi grek kishte dështuar në parandalim, zbulim dhe raportim të abuzimeve.
“Për vite me radhë, kriminelët, të ndihmuar nga nëpunësit civilë dhe zyrtarët e lartë, vidhnin paratë evropiane. Këto para supozohej të ndihmonin fermerët e ndershëm dhe familjet e tyre për të kultivuar këtë tokë të bukur, jo për të paguar për vila, makina sportive dhe kush e di se çfarë tjetër”, deklaroi kryetarja e EPPO, Laura Kovesi.
KE pas zbulimit të skandalit vendosi ndaj Greqisë një gjobë prej rreth 400 milion eurosh. Deri tani organet greke që po hetojnë skandalin kanë sekuestruar 22 milionë euro nga mbi 1,000 llogari bankare të rreme. Vetëm një nga të dyshuarit në Kretë akuzohet se përvetësoi 2.5 milionë euro.
Agjencia shtetërore greke OPEKEPE, ka menaxhuar më shumë se 3 miliardë euro në subvencione çdo vit për 680 mijë fermerë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar se rasti rrezikon besimin e Brukselit dhe të ardhmen e fondeve europiane për sektorin bujqësor, por është zotuar se “cilado qoftë kostoja politike, përgjegjësit do të ndëshkohen”.
Top Channel