Mesfushori i njohur maroken Hakim Ziyech është bashkuar zyrtarisht me skuadrën Wydad Casablanca, në një transferim të lirë, pas një periudhe pesë-mujore si futbollist pa kontratë.

I njohur ndryshe si “magjistari”, Ziyech ka përfaqësuar Kombëtaren e Marokut, pavarësisht se ka lindur në Holandë dhe ka luajtur për ekipet zinxhir të këtij shteti në U-20 dhe U-21.

Ziyech u transferua te Chelsea në sezonin 2020/21 nga Ajax për një shumë prej 40 milionë eurosh. Në dy sezonet e para me “Blutë”, ai fitoi Ligën e Kampionëve, UEFA Superkupën dhe Kampionatin Botëror për Klube.

Megjithatë, forma e tij filloi të bjerë dhe në sezonin e fundit ai u transferua te Galatasaray në Turqi. Pas vetëm 23 ndeshjesh, kontrata e tij u ndërpre me marrëveshje të dyanshme në janar të vitit 2025.

Më pas, Ziyech kaloi te Al-Duhail në Katar, ku zhvilloi 9 ndeshje dhe shënoi një gol, përpara se të lirohej edhe nga ky klub pas katër muajsh.

32-vjeçari ishte në kërkim të një klubi të ri dhe thuhej se ishte në bisedime me ekipe si Bologna, Fiorentina dhe Sevilla. Por, sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, ai ka vendosur të rikthehet në atdhe, duke firmosur me Wydad Casablanca.

Wydad aktualisht ndodhet në vendin e dytë në Botola Pro, vetëm një pikë larg kryesuesve të Maghreb de Fez, dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta