Pesë kartonë të kuq në pesë ndeshje radhazi, te Chelsea u “soset” durimi/ Lojtarët fillojnë të gjobisin njëri-tjetrin

22/10/2025 17:21

Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka zbuluar se lojtarët e tij kanë vendosur të gjobisin njëri-tjetrin në përpjekje për të ndalur rrjedhën e kartonëve të kuq që po i kushtojnë rëndë skuadrës këtë sezon.

Blutë kanë marrë tre kartonë të kuq në Premier League, dhe gjithsej pesë në të gjitha kompeticionet, përfshirë edhe një për vetë Maresca. Kjo është gjysma e rekordit të tyre historik në një sezon të vetëm të Premier League, që daton nga edicioni 2007/08 (me 6 kartonë të kuq në kampionat dhe 8 gjithsej).

Nëse vazhdojnë me këtë ritëm, Chelsea mund ta mbyllë sezonin me 14 kartonë të kuq, duke thyer rekordin absolut të Premier League për më shumë kartonë të kuq në një sezon – që aktualisht mbahet nga Sunderland (2009/10) dhe QPR (2011/12) me nga 9 të tillë.

Pavarësisht statistikave, Maresca mohon se skuadra ka një problem disipline dhe thekson se preferon qasjen edukative, si me lojtarët ashtu edhe me fëmijët e tij.

“Kam katër fëmijë – kur bëjnë diçka gabim, nuk i ndëshkoj. Mundohem t’i mësoj të bëjnë gjënë e duhur. Kështu veproj edhe me lojtarët,” – tha italiani përpara përballjes me Ajax.

Ai përmendi disa nga episodet e fundit, si kartoni i kuq i Malo Gusto ndaj Nottingham Forest dhe ai i Trevoh Chalobah ndaj Manchester United, duke thënë se të dy mund të ishin shmangur.

“Kartoni i Gusto ishte një gabim i madh. Ndeshja kishte përfunduar 0-3 dhe ata po bërtisnin që të mos pësonin gol. Donin të qëndronin agresivë.”

Sipas Marescas, janë vetë lojtarët që kanë vendosur një sistem gjobash mes tyre për të ndëshkuar sjelljet që i dëmtojnë në fushë.

“Kur merr pesë apo gjashtë kartonë të kuq, diçka duhet përmirësuar. Dhe kjo është diçka që ne do ta përmirësojmë. Lojtarët kanë një sistem gjobash brenda dhomës së zhveshjes, e menaxhojnë vetë këtë.”

Pas sfidës kundër Ajax, Chelsea do të përballet këtë fundjavë me Sunderland, një nga dy skuadrat që mban rekordin negativ që Blutë rrezikojnë ta thyejnë këtë sezon – një detaj që sigurisht nuk do t’i shpëtojë vëmendjes së tifozëve dhe mediave.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta