
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) po shqyrton detyrimet ligjore të Izraelit ndaj agjencive të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Ky shqyrtim ka lindur pas miratimit të ligjeve nga Knesseti izraelit që ndalojnë aktivitetet e UNRWA-së në territorin izraelit dhe ndërhyjnë në komunikimin e saj me zyrtarët izraelitë.
Izraeli ka akuzuar UNRWA-n për lidhje me Hamasin, një pretendim që agjencia e ka mohuar, duke theksuar se ajo mbetet e paanshme dhe e fokusuar në ofrimin e ndihmave për palestinezët. Ky konflikt ka marrë një rëndësi të madhe ligjore dhe diplomatike, pasi Gjykatës i është kërkuar të japë një mendim nëse këto veprime shkelin të drejtat ndërkombëtare, përfshirë detyrimet e Izraelit si fuqi pushtuese për të lejuar furnizimin e ndihmave humanitare.
Këto shqyrtime ligjore të lidhura edhe me akuzat se Izraeli ka shtuar bllokadën ndaj Gazës, duke kufizuar hyrjen e ndihmave ushqimore dhe humanitare për mbi 2 milionë palestinezë. Pas luftës me Hamasin, shumë ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për një situatë katastrofike, me nivele të pasigurisë ushqimore që po rriten alarmant.
BBC raporton se në seancën e mbajtur në Hagë, përfaqësues të OKB-së i kërkuan Gjykatës të sqaronte nëse ndalimi i Izraelit ndaj UNRWA-së shkelte Konventat e OKB-së për pavarësinë e agjencive të saj, si dhe nëse kufizimet mbi ndihmën humanitare shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë detyrimin për të mbrojtur civilët.
Izraeli ka kundërshtuar këtë procedurë dhe e ka cilësuar atë një “cirk politik”, duke theksuar se ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe se veprimet e tij janë të justifikuara për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Ai argumenton gjithashtu se nuk ka detyrime për të bashkëpunuar me agjencitë e OKB-së kur ato paraqesin rreziqe për sigurinë e shtetit.
Ky rast është i pari i këtij lloji dhe ka implikime të mëdha për legjitimitetin e veprimeve të shteteve anëtare të OKB-së ndaj institucioneve ndërkombëtare. Seancat e Gjykatës po krijojnë një precedent ligjor që mund të ndikojë në mënyrën se si shtetet përballen me angazhimet ndërkombëtare dhe rolin e organizatave ndërkombëtare në zona të pasigurta.
Top Channel