
Mbrëmjen e së martës ngriti siparin sezoni i ri në NBA, kampionati më spektakolar i basketbollit. Kampionët në fuqi të Oklahomës e nisën mbrojtjen e titullit me fitore ndaj Houston Rockets, por kjo mbrëmje ishte edhe e Michael Jordan që u kthye në familjen e madhe të NBA, por në një rol tjetër.
Legjenda e basketbollit amerikan dhe botëror, 6 herë kampion i NBA me Chicago Bulls ripërqafon të kaluarën e tij si bashkëpunëtor i rrjetit televiziv NBC, me këtë të fundit që kthehet të transmetojë ndeshjet e ligës më të fortë të basketbollit në botë pas 20 vitesh. ‘MJ: Insights to Excellence’ do të jetë formati i programit me të cilin do të shoqërojë audiencën gjatë ndeshjeve të NBA me në rrëfim, ku do të kujtojë të kaluarën e tij, por do të tregojë edhe të tashmen e të ardhmen. Në fakt legjenda amerikane e basketbollit e nisi që në mbrëmjen e së martës ku nuk e fshehu nostalgjinë e tij për të luajtur sportin me të cilin hyri në botën e lavdisë.
‘Do të doja të merrja një pilulë magjike, të vesh uniformën dhe të shkoj të luaj basketboll-tha Michael Jordan-kam jetuar gjithnjë për këto lloj kompeticionesh dhe më mungon do të doja të vija veten në prove me lojtarët e mëdhenj të kohëve të sotme, por në këtë perspektivë, është më mirë që thjesht t’i shoh. Nuk dua të dëmtoj Tendinën e Akilit dhe të qëndroj në karrige me rrota kushedi për sa kohë’
Top Channel