
Ministria e Drejtësisë e Izraelit njoftoi sot se ka urdhëruar dëbimin e 32 aktivistëve të huaj që kishin shkuar në Bregun Perëndimor të pushtuar për të ndihmuar palestinezët të mblidhnin ullinj.
Urdhri i dëbimit, me arsyetimin se aktivistët shkelën një urdhër ushtarak, u nënshkrua nga Ministri Yariv Levin. Ai u parapri nga një padi e ngritur nga kryetari i këshillit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor verior, Yossi Dagan, kundër “provokatorëve” dhe “anarkistëve”.
Britaniku Randy Salkin, 30 vjeç, është midis të dëbuarve. Ai foli me AFP në telefon dhe tha se shkoi në Bregun Perëndimor për të mbështetur fermerët palestinezë. Vjelja e ullinjve të këtij viti është dëmtuar nga dhuna, me vandalizëm dhe sulme nga kolonët izraelitë, raportuan gazetarët e AFP. Aktivistët e huaj besojnë se prania e tyre po pengon incidente të tilla në zonat rurale të Bregut Perëndimor.
Randi Shalkin tha se u ndalua për 72 orë dhe më pas u deportua më 19 tetor.
“Ne u arrestuam pasi zona ku po mblidhnim ullinj u shpall zonë ushtarake”, shpjegoi ai, duke përshkruar atë që ai e quajti një taktikë të zakonshme kundër palestinezëve. Ai shtoi se 32 vullnetarët u arrestuan të gjithë në një ullishte pranë qytetit të Nablusit dhe “nuk u sollën kurrë para një gjyqtari”.
Ministria e Drejtësisë tha se deportimi ishte bashkëfirmosur nga Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir. Ai akuzoi aktivistët për shkelje të “një urdhri nga komanda ushtarake” dhe se ishin anëtarë të UAWC-së, Unionit të Komiteteve Bujqësore. UAWC është një organizatë palestineze jofitimprurëse që punon për zhvillimin e bujqësisë. Izraeli e shpalli atë një organizatë terroriste në vitin 2021, së bashku me pesë OJQ të tjera, një vendim i dënuar nga OKB-ja. Shalkin nuk zbuloi se në cilën organizatë ishte anëtar. Fuad Abu Seif, drejtori i përgjithshëm i UAWC-së, tha se vullnetarët po merrnin pjesë në një “fushatë kombëtare” të organizuar nga disa OJQ palestineze dhe Ministria e Bujqësisë. UAWC po merr pjesë në këtë fushatë, por nuk e organizoi atë, sqaroi ai. Ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez dënoi arrestimet e aktivistëve.
Top Channel