
Kujtim Devishi, rezulton një tjetër qytetar që shërben si emër fiktiv për tokat e tjetërsuara nga Aleksandër Laho. Në parcelën me numër pasurie 151/4, volumi 4, në zonën kadastrale 2357 në Lalëz, me një të rënë të lapsit janë përvetësuar plot 10 mijë metër tokë shtetërore.
“Është bërë akti i ekspertimit të përmbajtjes së AMTP-së nr. 153 të shtetasit Kujtim Dervishi dhe rezultoi se: ‘Te shifra 2 konstatohet fshirje kimike, mbetje të elementëve të shifrës së mëparshme e cila ka qenë shkruar shifra 1’. Nga akti i ekspertimit del se sasia totale e sipërfaqes së tokës bujqësore që Komisioni i Ndarjes së Tokës ka dhënë për këtë shtetas ka qenë 14.840 metër katrorë dhe është korrigjuar duke e bërë sipërfaqen totale 24.840 metër katrorë”, citohet në dosjen hetimore.
“Të gjitha ato AMTP që kanë dalë por nuk kanë pasur regjistër të posaçëm me numër matrikullimi, është e pamundur të verifikohen. Vetëm nëse verifikohen përmes komunave, që janë manuale”, tha avokati Bledi Meminaj.
Në dokumente janë bërë falsifikime në volum duke ndryshuar edhe regjimin e tokës, nga “Pyll” në “Pemëtore”. Parcela prej 10 dynymësh e tjetërsuar, iu shit Andi Malokut, 23-vjeçarit që humbi jetën në atentatin që iu bë teksa udhëtonte me ish-prokurorin Arjan Ndoja dhe Rrumin.
Kjo që shihni, është pikërisht certifikata e pronësisë së tokës që kaloi në emrin e të riut të ndjerë.
“Nga verifikimi i Librit të Ngastrave kjo parcelë me sipërfaqe 10 mijë metër katrorë nuk rezulton pjesë e parcelave të përfituara me AMTP-në numër 153 prej Kujtim Dervishit. Kjo Pasuri i është shitur shtetasit Andi Maloku me kontratën numër 1567 datë 27.07.2018 për shumën prej 2.000.000 lekë dhe ndryshimet e pronësisë janë bërë në 31.07.2019”, thuhet në dosje.
Nëse analizon çmimin e shitjes, dukshëm një kontratë pa logjikë ekonomike. Një çmim prej vetëm 200 lekësh për metër katror në një prej zonave elitare turistike që në të vërtetë, kushton disa fish më tepër.
“Sot një çmim mesatar se nuk kemi bursë çmimesh, por në vijën e parë bregdetare minimale 200 euro. 200 por mund të ketë edhe deri në 300 euro”, deklaroi Gjergji Begaj.
Në të njëjtën formë, në emrin e shtetasit Kujtim Dervishi është përvetësuar edhe një tjetër parcelë me sipërfaqe 13.200 metër katrorë. Ndërhyrja është bërë ne falsifikimin një AMTP-je të vitit 1995, duke bërë ndryshimin e një regjimi toke nga “pyll” në tokë “arë”.
Këtu zbulohet se shtetasi Dervishi mund të mos ketë dijeni për veprimet e kryera. Ekspertimi zbulon se nuk kishte firmosur ai për praktikën.
“Shtetasi Kujtim Dervishi nënshkruan deklaratë të hartuar me shkrim dore ku pranon se ka hequr dorë nga sipërfaqja prej 110 metër katror. Shkrimi me të cilin është hartuar deklarata ndryshon nga shkrimi me të cilin ka shkruar emrin dhe mbiemrin shtetasi Kujtim Dervishi”, citohet në dosjen e SPAK.
Regjistrimi i pronës është bërë me thuajse 20 mijë metër më tepër, pra, 31.381 metër në total.
Toka është shitur nga Vlash Brahja, si përfaqësues i pronarit, tek shtetasja Liljana Basha për një vlerë prej vetëm 930 mijë lekësh. Sërish një vlerë qesharake pa asnjë lidhje me tregun. Pra, një shitje e dyshuar fiktive. Brahja, përfaqësuesi i shitësit, konsiderohet ushtar i Rrumit. Ai akuzohet për falsifikim dhe grup kriminal.
Top Channel