
Situata alarmante në zyrat e institucionit u konfirmua edhe disa vite më pas. Inside Story, ka siguruar ekskluzivisht një komunikim me email mes një zyrtari vendor të Kadastrës në Durrës me eprorët në Drejtorinë e Përgjithshme në 30 Janar të vitit 2023.
Aty, kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur abuzimet e shumta në dokumentacion.
“Për të shmangur përsëritjen e situatës së shkatërrimit të dokumentacionit me ose pa dashje, kërkohet ndërhyrja e menjëhershme juaja në mbrojtje të materialeve të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me pronat e qytetarëve të Durrësit”, thuhet në emailin e brendshëm të Kadastrës Durrës për eprorët në vitin 2023.
Emaili që zbulon skandalin në zyrat e shtetit, kishte pasuar një hetim administrativ për një parcelë toke të tjetërsuar.
“Sjell në vëmendjen tuaj gjendjen alarmante prej një muaji ku në arshivën e institucionit të regjistrimeve të pasurive të paluajtshme si dhe në zyrën e volumeve fizike të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, shërbimi ndaj specialistëve dhe në përgjegjësve të sektorëve, ofrohet nga punonjës të pakonfirmuar si pjesë e Drejtorisë Vendore të Kadastrës Durrës”, vijon emaili.
Momenti më i rëndë që bëhet me dije në këtë email informues, lidhej me hyrjen e personave të paautorizuar në ambientet e arkivit të Kadastrës. Pra, persona që mendohet se kanë futur duart në dokumente, siç zbulohet në dosjen e SPAK.
“Për rëndësinë e veçantë që ju si krerë të këtij institucioni i keni dhënë procesit të ruajtjes, sistemimit, arshivimit, inventarizimit dhe skanimit të këtyre dy ambienteve më të rëndësishme të Kadastrës Durrës ju bëj me dije se në këto ambiente personat që aksesojnë janë të pakonfirmuar si punonjës të Drejtorisë së ASHK.
Për të shmangur skandalin e radhës që mund të përfshijë Kadastrën e Durrësit lutem për ndërhyrjen e menjëhershme tuajën për kthimin në normalitet të situatës së këtij institucioni”, vijon emaili i brendshëm i Kadastrës Durrës.
Gjendja skandaloze brenda Kadastrës në Durrës del zbuluar edhe në këtë dokument ekskluziv që Inside Story posedon. Në një relacion të brendshëm, ish-drejtuesja vendore Xheni Agolli sqaronte në 23 janar 2023 faktin se dokumentet e protokollit ishin tërhequr nga zyrat e vjetra në Durrës.
Por, ato ishin vendosur në kuti, të pasistemuara në mënyrë të sigurt pasi nuk kishte ambiente mjaftueshëm. Pra, një arkivë e bërë lëmsh që rrezikonte të zhdukej. Kjo, shpjegon dhe lehtësinë për futjen e duarve në arkivë nga bandat.
Top Channel