Problemet e bëra me dije përmes emailit të brendshëm në kadastrën e Durrësit, janë vënë në dukje në një praktikë ankimore të vitit 2022 përmes Zyrës Antikorrupsion nga familja Mesiti.

Shtetasi Ndue Mesiti, nuk arriti të marrë certifikatë për pronën duke marrë përgjigje se parcelat ishin regjistruar nga përfitues të tjerë. Hetimi administrativ zbuloi dy parcela në Bizë. E para 29 mijë metra në emër të Hamdi Hoxha, Hamide Ibrahimi, Nadire Kërtusha, Xhemile Hasa, dhe Drita Hamitaj.

Një pronë e cila ishte në kalvarin e gjyqeve dhe kishte “Masë Sigurimi të kërkesë Padisë”. Pasuria tjetër objekt i hetimit administrativ me sipërfaqe 15.340 metra ishte në emrat e Renata Ashta dhe Alban Mollaymeri.

Vendimi i Gjykatës Apelit, kishte caktuar për pronat në favor të shtetasit Ndue Mesiti. Por, një punonjës i paidentifikuar i ZRPP-së këtë veprim e ka zhbërë me një “vizë të kuqe” sipër dokumentit, duke shkruar “hedhur gabim”. Kjo përbën një anomali më vete të ligjit të kohës që linte hapësirë për veprime të tilla korruptive.

“Këtu mund të jetë kjo që një pjesë e qytetarëve të ndershëm ose pafuqishëm mund të jetë vënë kjo vija e kuqe mbi pronën duke ditur që nga ky nuk na vjen gjë e mund t’ja marrin, nuk ka mbështetje, nuk ka financa, i fusim një vijë të kuqe e ia marrin, ja kanë marrë e i është kaluar investitorit që e zhvillon, por këtu nuk është faji investitorit…se ata investojnë, fusin në punë kapitalin, problemi është i shtetit”, thotë eksperti i pronave, Gjergji Begaj.

Mbi pronat u kryen një sërë veprimesh si ndarje dhe bashkime, lëvizje të cilat sillnin konfuzion në kërkimin administrativ. Kjo kishte synim humbjen e gjurmëve. Qëllimi në rastin konkret ishte heqja e vendimit të masës së sigurimit të kërkesë padisë.

Veprimi i radhës që në dukje është bërë nga zyrtarë të Kadastrës Durrës, ka qenë bashkimi fiktiv i pronave në bregdet. Një parcelë me 15.450 metra u regjistrua në emrin e shtetases Florinda Nikolla.

Kjo e fundit e kalon në favor të shtetasve Clirim Tahiri dhe Suela Tahiri. Përfituesi fundor në fund fare rezulton kompania e njohur “Premium Finance Invest” që e ka blerë tokën përmes një kontrate në vitin 2020. Në dokumentin e verifikimit të rastit, sqarohet se të gjitha certifikatat e pronësisë të prodhuara janë tërhequr nga juristi i Kadastrës në atë kohë, Taulant Bejko, i cili më pas do të shkarkohej nga detyra. Hetimi administrativ konstatoi se nga ana e zyrtarëve të ASHK Durrës janë kryer veprime korruptive dhe çështja u referua në Prokurori.

Ne i jemi drejtuar kompanisë blerëse të tokave me një kërkesë për informacion lidhur me procedurën e ndjekur për sigurimin e pronës. Në përgjigje na sqarohet se referuar dokumenteve zyrtare të kohës të lëshuara nga ASHK, tokat kanë qenë të lira, pa asnjë shënim në kartelat përkatëse për mbivendosje, masa kufizuese apo probleme të ndryshme.

“Shoqëria jonë nuk është pjesë e asnjë procesi penal apo civil, ndaj nuk kemi dijeni rreth konflikteve gjyqësore, procedimeve penale, procedurat për regjistrim apo tjetërsim pronash” thotë kompania Premium Finance Invest.

Referuar veprimeve të kryera, rezulton se pak a shumë në të njëjtën formë është vepruar edhe me pronën e cituar më sipër ku ishte në konflikt “Kisha Franceskane” në Kepin Rodonit. Rruga e ndjekur ishte ajo e “vizës së kuqe” dhe citimit të hedhur gabim.

Nëpërmjet shkresës së korrikut 2022, me numër protokolli 5124/1, një zyrtar vendor vuri në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme. Po ashtu, u vu në dijeni edhe Njësia Antikorrupsion por nuk pati asnjë reagim. Dosja shkoi në Prokurinë e Durrësit e cila ende po heton rastin.

Në këto praktika që nuk bëjnë pjesë në dosjen publike ndaj Rrumit të Sukthit dhe grupit të tij, vihet re një detaj mjaft i rëndësishëm. Në ASHK-në Durrës, një zyrtar ka skanuar të gjitha volumet fizike. Ky informacion nuk disponohej nga bandat e tokave. Madje, as zyrtarët e ASHK nuk kishin informacion për ruajtjen e këtyre të dhënave. Kur SPAK mori në dorë këto skanime, vërtetoi batërdinë që ishte bërë me pronat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta