Inside Story/ E kujtoni biznesmenin që i thyen këmbët për tokat e Lalzit dhe “pronarin” plak nga hiçi? Çfarë zbulon dosja e Rrumit një dekadë më pas…

22/10/2025 21:14

Inside Story/ Në 2 Tetor 2025, SPAK konfirmoi atë që përflitej prej vitesh nën zë: grabitjen e trojeve në Gjirin e Lalzit nga bandat. Dominant duket të jetë grupi i Aleksandër Lalhos alias Pëllumb Muharremit, tmerri i Sukthit i njohur me nofkën Rrumi.

Inside Story do të sjellë në vijim materiale ekskluzive të cilat zbulojnë se grabitjet shkojnë shumë përtej materialeve të dosjes së finalizuar nga SPAK. Por, si u arrit në këto gjurmë…

Në 1 nëntor të vitit 2019, Aleksandër Laho bie pre’ e një atentati ku mbetet i plagosur së bashku me ish prokurorin Arjan Ndoja, sot, deputet i Partisë Demokratike. Fatkeqësisht, në atentat humbi jetën shoferi i Ndojës, shtetasi Andi Maloku 23-vjeç. Të plagosurit u transportuan në spital nga shtetasi Stiven Meziu. Ne veturën e këtij të fundit, prokuroria sekuestroi 3 telefona.

Një prej tyre, kishte kartë memorie ku ishin ruajtur një numër i konsiderueshëm dokumentesh dhe praktikash që lidheshin me prona të shumta në vlerë miliona euro në Gjirin e Lalzit.

“Nga kqyrja që iu bë volumit 4 të zonës kadastrale 2375, Lalëz, Durrës, rezultoi se pasuritë e mësipërme paraqitnin problem në regjistrimin e tyre, të cilat dhe fletët e regjistrit të volumit nr. 4 ku ishin regjistruar këto pasuri, kishin korrigjime në zërin kadastral, që çojnë në dyshimin e arsyeshëm se pëmbajtja e fletëve të volumit ku janë regjistruar pasuritë, është e falsifikuar”, thuhet në dosjen hetimore.

Në dokumentet e shumta të sekuestruara, binte në sy një emër mjaft interesant, ai i shtetasit Pal Seçuni. I njëjti personazh për të cilin, disa vite më parë raportuam në investigim se kishte konflikt për pronën me shtetasin libanez Fadi Mitri. Ky i fundit dyshohet se ishte dhunuar nga Rrumi i Sukthit. Pikërisht, në telefonat e sekuestruar pas atentatit ku shpëtoi mrekullisht, Rrumi posedonte dokumente për tokën që pretendonte Pal Seçuni.

Dikur, pasi u shoqërua për dhunimin e biznesmenit libanez, Rrumi kishte mohuar autorësinë mbi krimin. Por, në vitin 2011 kishte lënë gjurmë duke marrë pjesë në një protestë në Gjirin e Lalzit kundër investimit të Fadi Mitrit, dhe në mbështetje të Pal Seçunit. Një i moshuar që kishte në emrin e tij një tokë prej 45 mijë metrash në bregdetin piktoresk, me vlerë miliona euro.

“Në datë 25 Shkurt 2021, Vullnet Muça i shkruan Rrumit se do të takojë Benin që ti japë emrat dhe volumet që ka marrë prokuroria. Rrumi e pyet nëse ata kishin lidhje me volume 4 dhe 11, dhe Neti i përjgigjet që janë ato që ka pasur Rrumi në telefon. Rrumi i shkruan që të shpresojnë që të mos i kenë çuar për ekspertim se do t’ju happen problem ndërsa Neti i përgjigjet se ata nuk kanë ndërhyrë te firmat dhe vulat. Rrumi i shkruan se nuk kanë ndërhyrë tek AMTP-të, por te volumet kanë ndërhyrë”, vijon dosja.

Sot, verifikohet se fshatari i varfër Pal Seçuni, ishte prestanome e Rrumit, ashtu siç ishte përfolur vite më parë kur ia kishte dalë të kopsiste gjithë praktikën për tokën në bregdet.

“E njeh Fadi Mitrin: Jo, nuk e njoh e nuk kam konflikt me të…”, deklaronte Pal Seçuni 1 dekadë më parë.
Sot është fakt se kjo deklaratë e 1 dekade më parë, ka qenë mashtrim. U kërcënua apo përfitoi diçka, kjo nuk mund të thuhet. Por, prokuroria dyshon se i moshuari ishte emri fiktiv i një toke të grabitur me manovra dhe falsifikime. Madje, në këtë rast skema shkon edhe më lart, duke pasur në favor edhe vendime nga gjykata e Durrësit.

Prej vitesh, Rrumi i Sukthit konsiderohet si personazhi numër 1 në tjetërsimin dhe uzurpimin e trojeve në zonat turistike të Durrësit, kryesisht në Gjirin e Lalzit dhe Kepin e Rodonit. De jure, emri i tij, nuk figuronte në asnjë pronë. Por, janë mjaft prestanome që fshihnin dhjetëra hektarë tokë të tjetërsuara nga një prej grupeve më të frikshme kriminale. Dosja hetimore zbulon vetëm disa prej pronave që sot janë nën sekuestro.

“Abuzimi nuk ka filluar vetëm nga këta persona se këta kanë gjetur mbështetje thashë te pushtetarët, ish pushtetarët që janë marrë me ndarjet e tokave, kryepleq, kryetarë komunash, përgjegjës sektorësh kadastre rrethi, hipoteka, gjyqtarët janë marrë me këto çështje”, tha Gjergji Begaj, ekspert pronash.

“U arrit të kuptohej që grupit kriminale me fuqinë e tyre jo vetëm zhdukën regjistra por krijuar një zinxhir falsifikimi të dokumenteve të vjetra, tapive që nga koha osmane dhe për këtë arsye u krijua ngërç që çonte në konflikte të përgjakshme”, tha ish prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beçi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta